Aktualitet

Komunikuan me shefin e Rrugores në Bllokun e Sigurisë, SPAK merr dëshminë e 4 zyrtarëve të policisë, sekuestrohen celularë

Mësohet se të paktën 3 prej tyre iu janë sekuestruar celularët dhe po zbërthehen nga ana e ekspertëve për të parë komunikimet që mund të hedhin dritë mbi rastin.

1 Maj 2025, 13:51 Nga M.B
Komunikuan me shefin e  Rrugores në Bllokun e Sigurisë, SPAK merr
Roven Zeka

TIRANA- SPAK ka marrë dëshminë e 4zyrtarëve të policisë, të cilët zhvilluan takime me shefin e qarkullimit rrugor të Tiranës Roven Zeka, teksa ai mbahej nën arrest në ambientet e Bllokut të Sigurisë. Sipas gazetares Klodiana Lala pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë, përmes të cilave u verifikuan hyrje-daljet e zyrtarëve në Bllokun e Sigurisë, hetuesit e BKH-së i thirrën për t’i marrë në pyetje lidhur me arsyet e vizitës në qeli të kolegut të tyre.

Mësohet se të paktën 3 prej tyre iu janë sekuestruar celularët dhe po zbërthehen nga ana e ekspertëve për të parë komunikimet që mund të hedhin dritë mbi rastin. SPAK po i heton zyrtarët nën dyshimet për shpërdorim detyre, pasi nuk lejohet që të kryejnë takime me persona nën hetim. Gjithashtu SPAK ka sa sekuestruar celularin e një biznesmeni të njohur.

Zeka u arrestua më 19 prill me urdhër të SPAK. Gjithashtu Prokuoria e Posaçme lëshoi urdhërarrest edhe për shefin e sektorit të Aksidenteve, Sokol Novaku, si edhe për Oficerin e Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku. Ata akuzohen për korrupsion në një rast ku janë mbuluar pasojat e një aksidenti ku nga përplasja e dy automjeteve, ku 5 persona kanë përfunduar në spital.

Zyrtarët e Policisë Rrugore të Tiranës dyshohet se morën ryshfet për të mbyllur çështjen në rrugë, ndërkohë që asnjë institucion nuk bën me dije se çfarë ka ndodhur me 5 qytetarët e plagosur në atë përplasje mes dy automjetesh me datë 16 prill. Të tre efektivët akuzohen se kanë kërkuar dhe marrë pagesën 2 mijë euro nga biznesmeni E. V., për të mos i arrestuar bashkëshorten që kishte shkaktuar një aksident më 16 prill.

Gjatë seanës në Gjykatën e Posaçme, më 22 Prill, mësohet se Roven Zeka është shprehur se ai është një oficer karriere në radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa oficerit Sokol Novaku nuk i janë pranuar argumentet për një masë më të butë sigurie për shkak të rrethanave familjare. Dy shefat e Rrugores kanë deklaruar se ata kanë zbatuar procedurën standarde duke referuar materialet në prokurori për drejtuesen e aksidentit. Ata kanë mohuar dijeninë apo përfshirjen e tyre në veprimet dhe mos veprimet e oficerit Edison Tabaku.

roven zeka

Sondazh

Poll