Politike

Rama deklaroi se Shqipëria do të jetë bashkëfinancuese e Start up-it të saj, Qeveria ndryshon buxhetin 10 ditë para zgjedhjeve, financon 10 mln dollarë nismën e Mira Muratit

Nga ana tjetër mësohet se Qeverua ka ndryshuar buxhetin përmes procedurës urgjente të aktit normativ për të akorduar shumën prej 10 milionë dollarësh si financim pjesmarrje në kompani.

1 Maj 2025, 13:19 Nga M.B
Rama deklaroi se Shqipëria do të jetë bashkëfinancuese e
Mira Murati

TIRANA- Qeveria ka ndryshuar 10 ditë përpara zgjedhjeve, për herë të parë për këtë vit buxhetin e vitit 2025 teksa mësohet se për këtë ndryshim Ministria e Financave i është drejtuar me një shkresë për opinion KQZ-së. Kjo shkresë iu drejtua KQZ-së pasi në Kodin Zgjedhor theksohet se 4 muaj nga dita e zgjedhjeve është e ndaluar të merren ose miratohen vendime të cilat kanë efekte financiare. 

Nga ana tjetër mësohet se Qeveria ka ndryshuar buxhetin përmes procedurës urgjente të aktit normativ për të akorduar shumën prej 10 milionë dollarësh si financim pjesmarrje në kompani. Bëhet me dije se ministria e Financave ka argumentuar “nevojën” dhe “urgjencën” për këtë ndryshim të shpejtë të buxhetit me akt normative, me faktin se financimet për startup-in e Mira Muratit duhet të realizohen sa më parë.

Gjithashtu Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovaciont ka argumentuar se startupi i drejtuar nga Mira Murati është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale, që pritet t’i sjellë përfitime edhe Shqipërisë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe sa i përket imazhit të vendit dhe pozicionimit në komunitetin botëror teknologjik. Financimi prej 10 milionë dollarë sipas relacionit do të mbulohet nga të ardhurat e fituara nga Agjencia e Adminsitrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Gjatë muajit prill Kryeministri Edi Rama foli për mundësinë që Shqipëria të jetë bashkëfinancuese, e start up-it më të ri të Mira Muratit në fushën e inteligjencës artificiale quajtur, Thinking Machines Lab. Gjatë një vizite në një kompani, kreu i qeverisë tha se ka ardhur koha që shteti të ‘hyjë’ nëpër kompani, që të ndihmojë në financimin e tyre, por që të ketë gjithashtu edhe përfitimin e tij.

Rama zbuloi se një propozim të tillë ia ka parashtruar edhe shqiptares Mira Muratit. Rama zbuloi pak nga biseda me Muratin, duke thënë se ajo i ka thënë “patjetër”, ndërsa një propozim të tillë shqiptares ia kanë ofruar edhe 3 shtete të tjera.

“Ka ardhur koha që të hyjmë nëpër kompani, që shteti të futet të financojë dhe të përfitojë. Siç fola me Mira Muratin, i thashë që a është e mundur që të futemi edhe ne. Më tha patjetër. Më tha se janë tre shtete që më kanë bërë ofertën. Ka ardhur koha që të hyjmë në këtë lojë, se edhe në rastin tonë me kompanitë tona, edhe start up-i është i mirë për të ndihmuar në fazën A kur tjetri s’ka asnjë gjë dhe vetëm një ide. Ne të bashkëpunojmë, që të keni një produkt që mund ta përdorni ku të doni. Dhe në fund fare shteti kushton më pak", tha Rama më 15 prill.

keshilli i ministrave

Sondazh

Poll