Aktualitet

Pjesë e grupit të Suel Çelës, Apeli i GJKKO lë në burg ish-gjyqtaren e Elbasanit Pajtime Fetahu

Mbrojtja ligjore e saj paraqiti ekspertiza mjekësore në mbështetje të këtyre pretendimeve. Por si shkalla e parë ashtu dhe Apeli i GJKKO ka vepruar në të njejtën mënyrë, duke rrëzuar kërkesën.  

29 Prill 2025, 13:15 Nga I.A
Pjesë e grupit të Suel Çelës, Apeli i GJKKO lë
Pajtime Fetahu dhe Suel Cela

TIRANË- Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në burg ditën e sotme ish-gjyqtaren e Elbasanit Pajtime Fetahu. Fetahu kërkoi lirimin nga burgu për arsye shëndetësore, pasi qëndrimi në burg i rrezikonte jetën sipas saj. Mbrojtja ligjore e saj paraqiti ekspertiza mjekësore në mbështetje të këtyre pretendimeve. Por si shkalla e parë ashtu dhe Apeli i GJKKO ka vepruar në të njejtën mënyrë, duke rrëzuar kërkesën.  

Operacioni i SPAK

Në fund të vitit 2024 SPAK goditi organizatën kriminale të Suel Çelës, duke lëshuar 21 masa sigurimi për persona të përfshirë në krimin e organizuar, ish-zyrtarë të drejtësisë, policisë, si dhe 2 gazetarë. Prokuroria e Posaçme tha se arriti të zbulonte dy raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas SPAK me paratë e fituara nga trafiku, banda e Çelës ka financuar ndër vite eliminimin e kundërshtarëve në qytetin e Elbasanit. Për realizimin e qëllimeve të veta kundër kundërshtarëve të tyre, apo edhe për të krijuar mbrojtje për vete, organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të drejtësisë, policisë dhe medias.

Organizata kriminale, nga hetimet e përbashkëta të kryera mes SPAK, Belgjikës, Francës dhe Ekuadorit, tregoi se paratë përdoreshin për financimin e blerjes së kokainës, silleshin kesh në Shqipëri dhe investoheshin në biznese në dukje të rregullta.

pajtime fetahu

Sondazh

Poll