Aktualitet

Rasti Qyno/ Kushtetuesja detyron SPAK-un t'i kthejë dokumentet gazetarit

Pas seancës së sotme në GJKKO, Qyno tha se këto ishin disa dokumente të siguruara nga burimet e tij.

24 Prill 2025, 10:46 Nga I.A
Rasti Qyno/ Kushtetuesja detyron SPAK-un t'i kthejë dokumentet
Elton Qyno dhe Dorian Matlija

TIRANË- Gjykata e Posaçme vendosi ti kthente sot dokumentet që iu sekuestruan gazetarit Elton Qyno. Pas seancës së sotme në GJKKO, Qyno tha se këto ishin disa dokumente të siguruara nga burimet e tij.

Elton Qyno: Janë disa dokumente të një gjyqi në GJKKO. Deklarime te ndryshme të cilat u vendos që të më ktheheshin pasi ishin sekuestruar e pasi Gjykata e Lartë kishte vendosur kthimin kjo nuk kishte ndodhur. SPAK këmbëngulte që ta mbante këtë provë duke mos ma kthyer mua si gazetar investigativ. Duke marrë edhe shkak jo vetëm nga GJL por edhe GJK bashkë me avokatin i kërkuam SPAK që të na kthente këtë send prej 54 fletësh. Gjyqtari vendosi që ky send të na kthehej.

Avokati Dorian Matlija: Vendimi i sotëm ishte kapitulli i fundit pas asaj që ndodhi në GJK që vlerësoi procesin ndaj gazetarit si antikushtetues.

Rasti i gazetarit Elton Qyno

Në padi, Qyno kërkonte shfuqizimin e vendimmarrjeve që sollën këto vendime, duke i cilësuar ato në shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut. Gazetari Elton Qyno u mor në pyetje në dhjetor 2023 për rrjedhjen në media të materialeve nga një dosje hetimore për një sërë krimesh të rënda, ndërsa pas një kontrolli në shtëpinë e tij, Prokuroria sekuestroi celularët dhe mjetet elektronike.

Qyno e ka kundërshtuar vendimmarrjen si shkelje e të drejtave të tij si gazetar. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi masën e "detyrimit për paraqitje" për Qynon për veprën e korrupsionit pasiv në sektorin privat, mbi bazën e një procedimi të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme për organizatën kriminale të drejtuar nga Suel Çela. Në janar, Gjykata e Posaçme e Apelit e rrëzoi masën e sigurisë së vendosur nga shkalla e parë.

elton qyno dorian matlija

Sondazh

Poll