Sport

Bonusi i “Euro 2024”/ UEFA hap “thesin” dhe ndan 233 milionë për klubet europiane...

Nëse marrim në konsideratë se kush nga ligat ka përfituar më shumë: Premier League është lider, Seria A vjen më pas, përpara Bundesligës, La Ligës dhe Ligue 1.

22 Prill 2025, 17:27 Nga DOSJA
Bonusi i “Euro 2024”/ UEFA hap “thesin” dhe ndan 233

ZVICER - Angazhimet ndërkombëtare shpesh konsiderohen si pengesë për klubet, megjithatë ato mund të bëhen edhe burim të ardhurash në disa raste. Konfirmimi vjen nga UEFA, e cila ka shpërndarë 233 milionë euro të ndara mes 901 klubeve që i përkasin 55 federatave të ndryshme.

Kompensimi vjen nga ‘OK’ që skuadrat u kanë dhënë lojtarëve për të marrë pjesë në garat e dedikuara për ekipet kombëtare, përkatësisht Ligën e Kombeve të UEFA-s 2020/21 dhe 2022/23, Kualifikimet Evropiane 2022–24 dhe fazën finale të UEFA “Euro 2024”.

Shifra të rëndësishme nga të cilat kanë përfituar edhe disa skuadra italiane, si Interi dhe Milani, liderë në Serinë A me 4.6 dhe 3.1 milionë euro secila respektivisht dhe që përfshihen në 35.3 milionë euro të destinuara për Serinë A.

Pas skuadrave milaneze janë Roma dhe Bolonja me 2.9 milionë dhe Juventusi me 2.8 milionë, Napoli me 2.8 milionë. Torino, Atalanta dhe Empoli për të plotësuar dhjetëshen e parë.

Nëse gërmojmë më thellë, mund të shohim se UEFA ka ndarë 100 milionë euro për lirimin e lojtarëve për Ligën e Kombeve të UEFA-s 2020/21 dhe 2022/23, si dhe për kualifikimet e UEFA “Euro 2024”.

93 milionë prej të cilave do të shpërndahen sipas tarifave të dakorduara, ndërsa 7 milionët e mbetura (një shumë e cila mbetet gjithmonë në dispozicion për shkak të faktorëve si lirimi i lojtarëve nga klubet joevropiane) do të shpërndahen në ciklin e ardhshëm.

Për fazën finale të UEFA “Euro 2024”, fondet arrijnë në 140 milionë euro të ndara për 196 klube nga 29 shoqata kombëtare të UEFA-s.

Nëse marrim në konsideratë ligat më të përfshira, Premier League është lider me 46.8 milionë euro të përfituara, një pjesë e mirë e të cilave shkon te Manchester City që do të arkëtojë 5.2 milionë para Arsenalit (3.9) dhe Liverpoolit (3.5), ndërsa Seria A vjen pas, përpara Gjermanisë, Spanjës dhe Francës.

Ndër “goditjet e mëdha” spikasin Real Madrid (4.8 milionë), Barcelona, ​​Bayern Munich dhe Paris Saint Germain (4.4 milionë). 

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll