Bota

Kina ekzekuton personin që goditi me thikë nxënësin japonez

Rasti kishte tronditur të dy vendet dhe nxiti tensionet diplomatike mes pretendimeve se ishte një sulm ksenofobik.

22 Prill 2025, 08:25 Nga r.ll
Kina ekzekuton personin që goditi me thikë nxënësin japonez
foto ilustruese

PEKIN- Kina ka ekzekutuar një burrë që goditi me thikë një djalë 10-vjeçar japonez shtatorin e kaluar. Lajmin e ka konfirmuar kambasada japoneze në Kinë për BBC. Zhong Changchun u dënua me vdekje në janar për sulmin ndaj djalit, i cili kishte shkuar në një shkollë japoneze në qytetin juglindor të Kinës, Shenzhen. Rasti kishte tronditur të dy vendet dhe nxiti tensionet diplomatike mes pretendimeve se ishte një sulm ksenofobik.

“Qeveria e Japonisë e konsideron vrasjen e një fëmije krejtësisht të pafajshëm si një krim të pafalshëm dhe ne e marrim këtë ekzekutim me solemnitetin më të madh. Në dritën e këtij incidenti, qeveria japoneze do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e mundshme të sigurisë dhe do të nxisë fuqishëm palën kineze që të garantojë sigurinë e shtetasve japonezë në Kinë”, tha ambasada japoneze në deklaratën e saj për BBC.

Ajo tha se ishte informuar për ekzekutimin nga Ministria e Punëve të Jashtme kineze. Incidenti rriti frikën midis japonezëve që jetonin në Kinë dhe bëri që kompanitë japoneze, përfshirë Toyota, të kërkonin nga stafi i tyre të merrte masa paraprake. Të tjerë, si Panasonic, u ofruan punonjësve fluturime falas për në shtëpi.

Incidenti ka hedhur gjithashtu dritë mbi nacionalizmin e pakontrolluar në mediat sociale kineze, i cili ka ushqyer ndjenjat kundër të huajve vitet e fundit. Komentuesit online vunë në dukje se vrasja e nxënësit të shkollës ndodhi në një datë të ndjeshme politikisht - 18 shtator, përvjetori i një incidenti që çoi në pushtimin japonez të Mançurisë në Kinë në fillim të viteve 1930.

Ankesat historike kanë lënë në hije tensionet politike midis Kinës dhe Japonisë. Kina ka kërkuar prej kohësh një falje nga Japonia për agresionin e saj kolonial dhe gjatë luftës në fillim dhe në mes të shekullit të 20-të. Ajo gjithashtu ka akuzuar Japoninë se ka fshehur veprimet e saj brutale ushtarake në Kinë në tekstet e saj të historisë.

Goditja me thikë erdhi gjithashtu në mes të një sërë sulmesh të profilit të lartë ndaj të huajve në Kinë, duke përfshirë therjen me thikë të katër mësuesve amerikanë në Jilin. Qershorin e kaluar, një burrë sulmoi një nënë japoneze dhe fëmijën e saj në një stacion autobusi në Suzhou, por përfundoi duke vrarë një grua kineze duke u përpjekur t'i mbronte. Burri është ekzekutuar gjithashtu, thanë zyrtarët japonezë javën e kaluar.

kine japoni

Sondazh

Poll