Bota

Masakra e El Pasos/ Pranoi fajësinë për vrasjen e 23 personave, dënohet me burgim të përjetshëm autori Patrick Crusius, i shpëton dënimit me vdekje

Me të mbërritur policia në vendngjarje, ai ka zbritur nga një makinë me duart lart dhe duke deklaruar se ishte autori. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka rrëfyer se donte të vriste meksikanët.

22 Prill 2025, 07:58 Nga N.F
Masakra e El Pasos/ Pranoi fajësinë për vrasjen e 23 personave,
Patrick Crusius

SHBA- Autori i masakrës së vitit 2019 në një supermarket në komunitetin latin të El Paso në Teksas pranoi fajin dhe u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht. Patrick Crusius u dënua në vitin 2023 nga një gjykatë federale me 90 burgime të përjetshme për vrasjen e 23 personave në kufi me Meksikën. Gjatë seancës së djeshme ai arriti një marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorët e shtetit të Teksasit dhe u deklarua fajtor për të shmangur dënimin me vdekje.

Në fillim të gushtit 2019, Patrick Crusius postoi një tekst në internet që përsëriti teorinë e supremacisë së personave të bardhë dhe foli për një "pushtim të latinëve të Teksasit" ndërsa vlerësoi veprimet e masakrës së xhamisë Christchurch në Zelandën e Re, ku u vranë 51 njerëz.

Më pas ai udhëtoi për dhjetë orë nga periferia e Dallasit ku jetonte në El Paso dhe hapi zjarr me një pushkë gjysmë automatike brenda një supermarketi Walmart. Me të mbërritur policia në vendngjarje, ai ka zbritur nga një makinë me duart lart dhe duke deklaruar se ishte autori. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka rrëfyer se donte të vriste “meksikanët”.

Nga 23 viktimat, tetë ishin meksikanë dhe pjesa tjetër ishin amerikanë me origjinë nga Amerika Latine. Masakra tronditi SHBA-në dhe ndezi një debat publik nëse ishte përgjegjëse retorika kundër imigracionit e presidentit republikan Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë. Masakra e El Pasos është një nga më vdekjeprurësit në historinë e SHBA.

patrick crusius

Sondazh

Poll