Aktualitet

"Kam shumë kujtime, pasi dhe kemi bashkëpunuar shumë"/ Ambasadorja shqiptare në Vatikan: Papa Françesku ka pasur respekt për Shqipërinë

Ambasadorja shprehet se gjendja e tij dje dukej e rënduar, sepse dhe përshëndetja e tij ishte me dorën që mezi e ngrinte, por mnduam se do të rimerrte veten, pasi kur doli nga spitali thanë se do të kishte nevojë dy muaj që të merrte veten. 

21 Prill 2025, 21:11 Nga E. D
"Kam shumë kujtime, pasi dhe kemi bashkëpunuar shumë"/
Majlinda Doda Frangaj

TIRANË- Ambasadorja shqiptare në Vatikan, Majlinda Doda Frangaj, ka folur nga Roma për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Në një lidhje live për emisionin “NOW me Erla Mëhillin”, në Euronews Albania, Frangaj, tregoi se ishte pjesë e Meshës së Pashkës, ku Papa Françesku mbajti liturgjinë në Sheshin e Shën Pjetrit, ndërsa vetëm një ditë më pas, ai ndërroi jetë. Ambasadorja shprehet se gjendja e tij dje dukej e rënduar, sepse dhe përshëndetja e tij ishte me dorën që mezi e ngrinte, por mnduam se do të rimerrte veten, pasi kur doli nga spitali thanë se do të kishte nevojë dy muaj që të merrte veten. 

“Papa ka qenë i sëmurë që nga 14 shkurti, por ndarja nga jeta sot ishte papritur. Ne e pamë dje kur ai bëri urimet për Pashkë dhe xhiron që bëri në Sheshin Shën Pjetër për t’u përshëndetur me besimtarët. Gjendja e tij dje dukej e rënduar, sepse dhe përshëndetja e tij ishte me dorën që mezi e ngrinte. Menduam se do të rimerrte veten, pasi kur doli nga spitali thanë se do të kishte nevojë dy muaj që të merrte veten, dhe të gjithë shpresonim se e keqja kishte kaluar”, tha ambasadorja.

Gjithashtu ambasadorja ndau përjetimet e saj personale dhe kujtimet e takimeve me Papën, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Vatikanin. Ajo shprehet se kur mori vesh lajmin nuk e besoi dhe fillo të pyes nëse ishte e vërtetë.  Gjithashtu Frangaj tha se Papa ka treguar respekt dhe dashuri gjithmonë ndaj Shqipërisë dhe ndaj saj. Po ashtu ajo thotë se bashkëpunimi i fundit me Papën ishte më 15 shkurt, ku dërgoi 100 studentë shqiptarë tek Papa Françesku dhe dy delegacione nga Ministria e Jashtme dhe Ministria e Arsimit.

“Unë kur mora lajmin sot në mëngjes, nuk e besova dhe fillova të pyes nëse ishte e vërtetë. Papa ka treguar respekt dhe dashuri gjithmonë ndaj Shqipërisë dhe ndaj meje. Kam shumë kujtime, pasi dhe kemi bashkëpunuar shumë. Bashkëpunimi i fundit ishte më 15 shkurt, ku dërgova 100 studentë shqiptarë tek Papa Françesku dhe dy delegacione nga Ministria e Jashtme dhe Ministria e Arsimit.

Ai ka folur shumë herë për vizitën e tij në Shqipëri, ku është impresionuar shumë nga mikpritja e shqiptarëve. Çdo kërkesë që unë i kam paraqitur, ai e ka pranuar me kënaqësi dhe ka pasur një respekt të madh për shqiptarët”, tha ambasadorja Doda Frangaj.

Sa i përket ceremonisë mortore dhe varrimit të Papa Françeskut, ambasadorja zbuloi disa detaje. Ajo tha Papa nuk do të varroset si papët e tjerë në Bazilikën e Shën Pjetrit, por në Bazilikën Santa Maria Maggiore. Sipas saj varrimi do të bëhet aty, ndërsa homazhet do të jenë për tre ditë në Bazilikën Shën Pjetri në Vatikan.

“Ai nuk do të varroset si papët e tjerë në Bazilikën e Shën Pjetrit, por në Bazilikën Santa Maria Maggiore. Varrimi do të bëhet aty, ndërsa homazhet do të jenë për tre ditë në Bazilikën Shën Pjetri në Vatikan. Të martën do të bëhet publike data e ceremonisë së varrimit, e cila mund të jetë e shtunë, por po pritet përfundimi i negociatave. Konklava për pasuesin e ri do të mbahet pas 15 ditësh nga ceremonia e varrimit, që do të japë kohë për mbledhjen e kardinalëve nga e gjithë bota. Ceremonia do të jetë e fshehtë, ku kandidatëve nuk do t’u lejohen kontakte apo telefonat për të shmangur ndikimet nga jashtë”, përfundoi ambasadorja Doda Frangaj.

majlinda doda frangaj

Sondazh

Poll