Aktualitet

Thirrje për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në Korçë/ Fermerët drejt kolapsit pas ngricave të Prillit

Këshilltarët e Bashkisë kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Qeveria pas dëmeve katastrofike në prodhimin bujqësor

14 Prill 2025, 18:25 Nga DOSJA
Thirrje për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore
Breshëri shkatërron prodhimin e fermerëve në Korçë

KORÇË - Këshilltarët bashkiakë në Korçë kanë kërkuar zyrtarisht shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, pas dëmeve masive të shkaktuara nga ngricat e papritura të datave 7–10 prill, që kanë prekur rëndë frutikulturën në këtë zonë. Përmes një letre drejtuar institucioneve përgjegjëse, ata e përshkruajnë situatën si “katastrofike”, ku në disa raste humbjet arrijnë 100% të prodhimit.

Sipas raportimeve të para në terren dhe komunikimeve të drejtpërdrejta me fermerët, ngricat e rënda kanë shkatërruar thuajse tërësisht disa nga kulturat më të rëndësishme të zonës, si qershitë, kumbullat, dhe varietete të ndryshme të mollëve. Konkretisht, raporti përmend:

Qershi dhe kumbulla: 100% humbje të prodhimit
Dardha: 100% humbje
Mollë Starking: 60–70% humbje (në disa zona deri në 100%)
Mollë Golden: 80–100% humbje
Mollë Fuji: 70–90% humbje
Mollë Granny Smith: deri në 80% humbje

“Bëhet fjalë për një fatkeqësi natyrore me përmasa të jashtëzakonshme,” thuhet në letrën e firmosur nga këshilltarët, të cilët kërkojnë nga autoritetet vendore dhe qendrore mobilizim të menjëhershëm.

Letra i referohet Ligjit 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, ku përmendet qartësisht se temperatura ekstreme klasifikohen si fatkeqësi natyrore dhe se në raste të tilla mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme nga Këshilli i Ministrave, për të lehtësuar pasojat dhe për të mundësuar ndërhyrje të drejtpërdrejtë të shtetit.

Përtej shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë, këshilltarët kërkojnë:

"Dëmshpërblim të plotë financiar për fermerët e prekur, përmes fondeve emergjente vendore dhe fondeve të posaçme qendrore.
Vlerësim të detajuar të dëmeve në çdo njësi administrative, për të përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për kompensimet.
Koordinim institucional mes Bashkisë, Prefekturës dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, për të siguruar ndihmë sa më të shpejtë dhe efektive për të gjithë fermerët e goditur nga kjo fatkeqësi.
Rrezik për pasojë zinxhir
Sipas paralajmërimit të këshilltarëve, mungesa e të ardhurave do të ketë pasoja të thella ekonomike dhe sociale: “Fermerët nuk do të jenë në gjendje të shlyejnë kreditë bujqësore, të paguajnë taksat apo të vijojnë aktivitetin bujqësor. Kjo mund të sjellë një valë të re emigrimi dhe boshatisje të zonave rurale.”

Ata e mbyllin letrën me një thirrje të qartë: “Çdo vonesë në reagim do të thellojë krizën dhe do të dëmtojë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.”

Zyrtarët vendorë janë të gatshëm për bashkëpunim me të gjitha institucionet për të ndihmuar komunitetin në këtë moment kritik. Ndërkohë, sytë e dhjetëra mijëra qytetarëve të Korçës janë tashmë drejt Tiranës, në pritje të një vendimi që mund të vendosë fatin ekonomik të të gjithë zonës.

këshilltarët bashkiakë në korçë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore ngricat demtohen qershitë kumbullat dhe varietete të ndryshme të mollëve

Sondazh

Poll