Aktualitet

Media gjermane "Der Standard" komenton marrëveshjen për emigrantët: Meloni provon sërish me kampet në Shqipëri, këtë herë me kriminelë të dënuar

Mediat gjermane raportojnë se emigrantë me precedentë penalë janë transferuar natën nga Italia drejt kampeve të dëbimit në Shqipëri. Opozita në Romë e quan këtë një skemë të dështuar që po u kushton taksapaguesve italianë mbi një miliard euro

13 Prill 2025, 18:16 Nga A.Ll
Media gjermane "Der Standard" komenton marrëveshjen për
Pamje nga anija "Libra" ne Shengjin

LEZHË- Qeveria italiane, nën drejtimin e Giorgia Melonit, ka provuar një tjetër skenar për funksionimin e kampeve të dëbimit në Shqipëri, kësaj here jo me refugjatë që mbërrijnë me varka, por me emigrantë që kanë kryer vepra penale dhe ndaj të cilëve është marrë urdhër dëbimi nga autoritetet italiane.

Mediat gjermane, përfshirë gazetën “Der Standard”, raportojnë se transferimi i fundit drejt kampit të Shëngjinit përfshinte 40 emigrantë, nga vende si Maroku, Tunizia, Algjeria, Nigeria, Egjipti, Pakistani, Bangladeshi, Gjeorgjia dhe Moldavia.

Shumë prej tyre nuk kishin asnjë dijeni për transferimin: u zgjuan natën nëpër qeli, u vunë në pranga dhe u transportuan me autobusë drejt portit të Brindisit. Vetëm aty mësuan se destinacioni i tyre ishte Shqipëria. U dërguan me anijen ushtarake italiane “Libra” në portin e Shëngjinit, e më pas në kampin e dëbimit të Gjaderit, rreth 20 kilometra më larg.

Disa nga të transferuarit kanë kryer krime të rënda: pesë ishin dënuar për vepra seksuale, një për tentativë vrasjeje dhe të tjerët për vjedhje apo rezistencë ndaj autoriteteve. Megjithatë, një pjesë tjetër nuk kishte precedentë penalë, por kishin marrë urdhër largimi për shkak të mungesës së lejes së qëndrimit.

Sipas marrëveshjes dypalëshe mes Italisë dhe Shqipërisë, këta persona mund të mbahen në kampet shqiptare deri në 18 muaj, përpara se të deportohen në vendet e tyre të origjinës.

Një projekt i shtrenjtë dhe i kontestuar
Kjo është tashmë tentativa e katërt e qeverisë Meloni për të vënë në funksion kampet e dëbimit në territorin shqiptar – një projekt që opozita italiane e cilëson si të dështuar dhe të kushtueshëm, duke përmendur se kostoja e tij ka shkuar deri në një miliard euro.

Fillimisht, ideja ishte që kampet të shërbenin për azilkërkuesit e kapur në det, përpara se të hynin në territorin italian, duke iu nënshtruar një procedurë të përshpejtuar azili që zgjaste maksimumi 30 ditë. Por tri përpjekje të mëparshme janë bllokuar nga gjykatat italiane, të cilat kanë kundërshtuar praktikat dhe legalitetin e kësaj skeme.

Në përpjekjen më të fundit, Meloni ka ndryshuar kurs, duke e përdorur kampin për persona që tashmë kanë jetuar në Itali dhe që janë në listën e dëbimit. Ky ndryshim strategjik, sipas kritikëve, është një rrëzim i qartë i qëllimit fillestar të skemës, i cili ishte që emigrantët të mos prekeshin kurrë në tokë italiane./ Der Standard

giorgia meloni der standard emigrantet

Sondazh

Poll