Politike

“Çuçi-Çaçi bëjnë inspektim të “asfaltit elektoral” "/ Zhupa akuzon PS-në për krim zgjedhor: Karshillëk ndaj SPAK dhe KQZ!

Zhupa përmes një reagimi në rrjetin social Facebook thotë se megjithëse kodi zgjedhor dhe aktet nënligjore të nxjerra nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ndalojnë përdorimin dhe vënien në mbështetje të partive politike dhe kandidatëve të tyre të aseteve publike, PS nuk preket nga ligji.

9 Prill 2025, 18:16 Nga E. D
“Çuçi-Çaçi bëjnë inspektim të
Ina Zhupa

TIRANË- Kandidatja e PD në qarkun e Vlorës, Ina Zhupa, ka denoncuar PS se në kundërshtim me ligjin zgjedhor po shtron asfalt elektoral. Zhupa përmes një reagimi në rrjetin social Facebook thotë se megjithëse kodi zgjedhor dhe aktet nënligjore të nxjerra nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ndalojnë përdorimin dhe vënien në mbështetje të partive politike dhe kandidatëve të tyre të aseteve publike, PS nuk preket nga ligji.

Zhupa gjithashtu thekson se qytetarët e Sarandës, demokratë, socialistë apo pa parti qofshin, nuk gënjehen më nga këto manovra elektorale që Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë shndërruar në një metodë pune në çdo palë zgjedhje. Sipas saj qytetarët e dinë më mirë se kushdo se hallet e tyre nuk zgjidhen më asfalt elektoral, por me një program të detajuar dhe një ekip njerëzish të ndershëm, që më së miri e përfaqëson Partia Demokratike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore. 

Postimi i Plotë i Zhupës:

Çuçi-Çaçi, asfalt elektoral, karshillëk KQZ dhe SPAK!

Kodi Zgjedhor, ashtu si edhe aktet nënligjore të nxjerra nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ndalojnë përdorimin dhe vënien në mbështetje të partive politike dhe kandidatëve të tyre të aseteve publike. Promovimi i projekteve dhe investimeve në infrastrukturë përbën shprehimisht veprimtari të ndaluar dhe funksionarët publikë lokal apo qëndror kanë për detyrë që të marrin masa për të shmangur veprimtari të tilla. Madje, Kodi Penal sanksionon se përdorimi i burimeve financiare dhe njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike apo kandidati në zgjedhje, përbën vepër penale të dënueshme deri në tre vjet.

Por, siç duket ligji dhe organet ligjzbatuese nuk veprojnë ndaj Partisë Socialiste dhe kandidatëve të saj. Shfaqja e drejtuesit politik të Partisë Socialiste, Bledar Çuçi, krah kryetarit të Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi për inspektimin e " asfaltit elektoral" që po hidhet në lagjet nr. 1 dhe nr. 2, të Sarandës është dëshmi e qartë e krimit elektoral.
Karshilleku i hapur që përfaqësuesit e Partisë Socialiste i bëjnë KQZ-së dhe SPAK-ut, të cilët duken të pafuqishëm për t'i vënë fre paligjshmërisë, duhet t'i bëjë këto organeve të veprojnë menjëherë dhe me forcë ndaj kriminelëve recidivistë elektoralë.

Megjithatë, qytetarët e Sarandës, demokratë, socialistë apo pa parti qofshin, nuk gënjehen më nga këto manovra elektorale, që Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë shndërruar në një metodë pune në çdo palë zgjedhje.
Qytetarët e dinë më mirë se kushdo se hallet e tyre nuk zgjidhen më asfalt elektoral, me punime sa për sy e faqe a me premtime boshe, të cilat sapo bie një shi i merr përpara dhe i hedh në det, por me një program të detajuar dhe një ekip njerëzish të ndershëm, që më së miri e përfaqëson Partia Demokratike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Prandaj, më 11 maj, sarandiotët do të votojnë 1-shin për t'i hapur rrugë ndryshimit të vërtetë.

ina zhupa

Sondazh

Poll