Politike

Miratohet draft-rezoluta për Kosovën, PE kërkon heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese: Të pajustifikueshme

Shqetësim shprehet, gjithashtu, për situatën e sigurisë në veri të Kosovës pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe atë në Ibër Lepenc. Kërkohet sjellja para drejtësisë e autorëve të këtyre sulmeve.

9 Prill 2025, 12:51 Nga N.F
Miratohet draft-rezoluta për Kosovën, PE kërkon heqjen e
Foto ilustruese

KOSOVË- Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar draft rezolutën për Kosovën në të cilën mes tjerash kërkohet heqja e menjëhershme e masave të BE-së. Autor i raportit është Riho Terras raportues i këtij institucioni për Kosovën. Në këtë dokument mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE dhe ftohen vendet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë pa vonesa të tjera.

Parlamenti Evropian mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s. Nënvizohet gjithashtu progresi domethënës në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe lirive, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të funksionimit të ekonomisë së tregut, por shpreh keqardhje për përparimin e limituar në sundimin e ligjit.

Shqetësim serioz shprehet edhe për dobësitë sistematike të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sidomos sa i përket pavarësisë dhe respektimit të ndarjeve të pushteteve. Shqetësim shprehet, gjithashtu, për situatën e sigurisë në veri të Kosovës pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe atë në Ibër Lepenc. Kërkohet sjellja para drejtësisë e autorëve të këtyre sulmeve.

Eurodeputetët thonë se masat janë në kundërshtim të madh me përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe po e pengojnë rifillimin në mirëbesim të dialogut Kosovë – Serbi. 

Në raport është nënvizuar se dialogu s’ka sjellë rezultatet e pritura dhe i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë t’i zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e po ashtu Serbia t’i heqë kundërshtimet ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare. 

Të dyja vendeve u është kërkuar që t’i shmangin veprimet e njëanshme që mund të dëmtojnë procesin e dialogut. 

“Është e qartë se procesi i integrimit të Kosovës ka nevojë për një moment të ri – ne kemi nevojë për një kapitull të ri në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Është jashtëzakonisht pozitive që në peizazhin politik të Kosovës, të gjitha partitë kryesore janë fuqimisht në favor të integrimit në BE. E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane dhe do të punojmë së bashku në agjendën e reformave, pasi çdo anëtarësim i ardhshëm duhet të jetë i bazuar në merita”, ka thënë raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras. 

Keqardhje e veçantë shprehet përse Serbia nuk i ka nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmit terrorist në Banjskë, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiç. Dokumenti shpreh, gjithashtu, mbështetje për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përshëndet emërimin e Peter Sorensenit në postin e emisarit për këtë dialog. Pas aprovimit në Komitetin për Politikë të Jashtme ky dokument gjatë muajve të verës do të votohet në seancë plenare kur do e merr edhe versionin e Rezolutës së Parlamentit Evropian.

kosova be

Sondazh

Poll