Aktualitet

LDK refuzon ftesën e Albin Kurtit për formimin e qeverisë së re: Fjalët kanë peshë, as për konsultim nuk e gjejmë veten...

Abdixhiku shuan çdo iluzion bashkëpunimi pas zgjedhjeve: LDK i qëndron fjalës së dhënë për të mbetur në opozitë dhe i kujton Kurtit ofendimet e së kaluarës

8 Prill 2025, 18:36 Nga A.Ll
LDK refuzon ftesën e Albin Kurtit për formimin e qeverisë së
Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku

KOSOVA - Në një deklaratë të fortë politike që mbyll çdo derë bashkëpunimi me fituesin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar kategorikisht ftesën e Albin Kurtit për një takim konsultativ për krijimin e institucioneve të reja.

Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Abdixhiku bëri të qartë se LDK do të qëndrojë në opozitë, duke mbrojtur parimin e fjalës së dhënë dhe të respektit politik. Në qendër të arsyetimit të tij qëndron “pesha e fjalës”, një motiv i përsëritur në deklaratë, që thekson mungesën e besimit dhe respektit nga ana e Kurtit gjatë viteve të fundit.

“Në politikë, si në jetë, fjalët kanë peshë. Ato janë pasqyrë e karakterit, e vlerave dhe e qëllimeve,” shkruan Abdixhiku. “Për ne, në LDK, fjala është përgjegjësi. Është zotim. Është besë.”

Kreu i LDK-së shpalosi një listë të gjatë të ofendimeve që sipas tij janë bërë në drejtim të partisë dhe votuesve të saj nga Kurti dhe Vetëvendosje, përfshirë termat “hajvanat”, “bashkëpunëtorët e Serbisë”, dhe “mbytjen e LDK-së”, duke theksuar se nuk mund të ketë kthim pas.

“Një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik,” shkroi Abdixhiku.
Duke ironizuar letrën e Kurtit për konsultime, ai theksoi se besa ndaj qytetarëve dhe qëndrimi politik nuk janë të negociueshme, sidomos kur përballen me një mendësi që “përçan dhe sulmon”.

Abdixhiku siguroi se LDK nuk do të pengojë konstituimin e institucioneve dhe se njeh legjitimitetin kushtetues të partisë fituese për të formuar qeverinë, por në rast të dështimit të saj, të drejtën për ndërtimin e shumicës do ta ketë kushdo që mund ta sigurojë.

“LDK njeh të drejtën legjitime, demokratike dhe kushtetuese të partisë së parë për të marrë mandatin për qeverisje. Dhe në rast të dështimit të saj, njeh të drejtën e secilit për të ndërtuar shumicën.”

Abdixhiku përfundoi me një mesazh edhe për partitë e tjera që sipas tij kanë tentuar t’i diktojnë LDK-së çfarë qëndrimi të marrë. “LDK u qëndron besnike vendimeve dhe fjalës së dhënë. Ndaj të gjithëve – njësoj. Sepse fjalët kanë peshë!”

lumir abdixhiku albin kurti kosova

Sondazh

Poll