Aktualitet

VIDEO/ Elbasani me reshje të dendura dëbore/ Moti i keq godet qytetet dhe fshatrat, rrëshqitje dhe vështirësi në qarkullim

Reshje intensive shiu dhe dëbore kanë përfshirë Qarkun e Elbasanit këtë të diel, duke krijuar probleme në lëvizje dhe rrëshqitje dherash, por autoritetet thonë se situata është nën kontroll

6 Prill 2025, 18:26 Nga DOSJA
VIDEO/ Elbasani me reshje të dendura dëbore/ Moti i keq godet qytetet
Reshje debore ne Fushe Studen

ELBASAN - Mesditën e kësaj të diele, qytetet dhe fshatrat e Qarkut të Elbasanit u përfshinë nga moti i keq, i shoqëruar me reshje të dendura shiu. Pjesë të shumta të rajonit, përfshirë të gjitha qytetet dhe zonat rurale, përjetuan përkeqësim të ndjeshëm të kushteve atmosferike, sidomos gjatë orës 14:00-15:00, kur reshjet ishin më intensive.

 

Në zonat malore të bashkive Librazhd, Prrenjas, Gramsh dhe Elbasan kanë nisur reshjet e dëborës, ndonëse me trashësi të papërfillshme për momentin. Temperaturat kanë shënuar rënie të ndjeshme këtë fundjavë, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e banorëve dhe pengesa në zhvillimin e aktiviteteve të zakonshme në natyrë.

Emergjencat Civile të bashkive përkatëse raportojnë se pavarësisht motit të keq, nuk janë shënuar probleme serioze për jetën e qytetarëve dhe se situata po monitorohet në vijimësi. Autoritetet kanë reaguar menjëherë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të shmangur çdo rrezik potencial.

Ndërkohë, në rrugën kombëtare Elbasan-Librazhd-Prrenjas janë raportuar rrëshqitje dhe rënie inertesh në segmente problematike si “Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” dhe “Kthesat e Pishkashit”, ku nga kodrat kanë rënë gurë dhe masive dherash. Fatmirësisht nuk janë raportuar incidente apo dëmtime, ndërsa shërbimet e emergjencës janë angazhuar në pastrimin dhe sigurimin e rrugëve.

Pavarësisht kushteve të vështira, shërbimet e mbrojtjes civile dhe emergjencat kanë bashkëpunuar ngushtë për të garantuar menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e qytetarëve nga pasojat e motit të keq.

librazhd prrenjas gramsh dhe elbasan debora

Sondazh

Poll