Politike

Xhixho: Pasurimi i oligarkëve dhe rrënimi ekonomik i shqiptarëve arritjet më të mëdha të qeverisë në 12 vitet e fundit

Duke folur në një deklaratë Xhixho theksoi se pasurimi i oligarkëve dhe rrënimi ekonomik i shqiptarëve janë arritjet më të mëdha të qeverisë në 12 vitet e fundit.

4 Prill 2025, 14:43 Nga E. D
Xhixho: Pasurimi i oligarkëve dhe rrënimi ekonomik i shqiptarëve
Erisa Xhixho

TIRANË- Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka kritukuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për situatën ekonomike dhe sociale në Shqipëri. Duke folur në një deklaratë Xhixho theksoi se pasurimi i oligarkëve dhe rrënimi ekonomik i shqiptarëve janë arritjet më të mëdha të qeverisë në 12 vitet e fundit.

Gjithashtu Xhixho tha se informaliteti dhe pastrimi i parave kanë shkaktuar zhvlerësimin drastik të euros, duke dëmtuar kështu eksportuesit dhe fasonët, çka ka rezultuar në mbylljen e mijëra vendeve të punës dhe ka lënë shumë familje pa të ardhura. Ajo përmendi se, megjithë miliardat e lekëve që shqiptarët paguajnë si taksa, shërbimet që ata marrin janë të pakta.

Më tej ajo kritikoi gjithashtu rritjen e çmimeve dhe refuzimin e qeverisë për të reduktuar TVSH-në për produktet e shportës, duke e quajtur një mashtrim premtimin për ta zeruar atë. Xhixho theksoi se Shqipëria është e fundit në Evropë për fuqinë blerëse dhe nivelin e pagës minimale, dhe se ka çmimin më të shtrenjtë të energjisë elektrike dhe taksën më të lartë të karburanteve.

Deklarata e Plotë:

Deklarata e Zv. Presidentes të Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho

Në 12 vjet, arritja më e madhe e qeverisë së Edi Ramës ka qenë pasurimi i oligarkëve dhe rrënimi ekonomik i shqiptarëve. Informaliteti dhe pastrimi i parave që ka sjellë si pasojë zhvlerësimin drastik të euros, ka dëmtuar eksportuesit dhe fasonët, duke mbyllur mijëra vende pune e duke lënë pa të ardhura mijëra familje.

Shqiptarët kanë paguar miliarda lekë taksa, por nuk kanë marrë mbrapsht shërbime. Vetëm me taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore, Bashkia e Tiranës ka mbledhur rreth 62 milionë euro. Por në shkollat e Tiranës vijon edhe sot mësimi me turne. Sepse paratë e qytetarëve të Tiranës kanë shkuar në gropat e korrupsionit të inceneratorit dhe kompanisë5D.

Kriza e çmimeve e ka rrënuar ekonominë familjare të shqiptarëve, por qeveria, e ka refuzuar propozimin tonë për reduktimin e TVSH-së për produktet e shportës.. Dhe është e njëjta qeveri që në vitin 2013 premtoi se do ta bënte zeronte atë. Mashtrim! TVSH në vend është sot 20%, më e larta në rajon.

Ne jemi të fundit në Europë për fuqinë blerëse dhe për pagën minimale, për nivelin e pensioneve dhe skemat e ndihmës sociale. Por kemi çmimin më të shtrenjtë të energjisë elektrike dhe taksën më të lartë të karburanteve.

Të gjitha këto flasin qartë për mungesën e shtetit social në Shqipëri dhe qeverisjen e korruptuar, e cila qytetarin e ka të fundit në listën e prioriteteve. Sepse i vetmi prioritet i qeverisë së Edi Ramës ka qenë grabitja, korrupsioni, zhvatja dhe rritja e pandalshme e taksave.

Më 11 maj, duke votuar programin ekonomik “Made in Albania” të Aleancës për Shqipërinë Madhështore, shqiptarët do të votojnë për uljen e taksave dhe ndërtimin e një Shqipërie fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon.

Me programin tonë ekonomik, ne do të:
- Ulim numrin e shkallëve të ndryshme tatimore.
- Taksa e sheshtë 10% mbi të ardhurat jo nga paga.
- Zero taksim për profesionet e lira dhe biznesin e vogël.
- Tavani vjetor për tatim fitimin zero për biznesin e vogël.
- TVSH do ulet në 15%.
- Taksa e ndikimit në infrastrukturë do të ulet nga 8% e çmimit të shitjes në 2% të preventivit.
- Taksa 3% e strehimit social mbi çmimin e shitjes do të shfuqizohet.
- Tarifa e rivlerësimit të pronës do ulet nga 5% në 1%.
- Energjia elektrike për biznesin nga 18-24 lekë që është sot, do shitet në 6 lekë.
- Taksa e shitjes së pronës ulet nga 15% në 2%.
- Taksa karburantit hiqet dhe në të gjitha pikat e shitjes së karburantit nuk mund të shitet karburant me ndryshim çmim plus/minus 10% me pompat e vendeve fqinje.
- Çdo shqiptar që vjen për të investuar në Shqipëri nuk do të taksohet për 5 vite kudo që të investojë, ndërsa për investimet në zonat malore nuk do të taksohet për 8 vite.
- Do krijohet bordi që do monitorojë dhe kompensojë dëmet e krijuara nga lëkundjet e kursit të narko-euros.
- Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat deri në moshën 25 vjeç.
- Për gratë, tatim-fitimi do të jetë zero për vitin e parë të biznesit. Do të subvencionohen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore për 4 muajt e parë, me kushtin që gjysma e të punësuarve të jenë femra dhe të rinj.
Me programin ekonomik “Made in Albania” do t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve.

erisa xhixho

Sondazh

Poll