Politike

Kompensim ekonomik ose politik, SHBA po shqyrton deportimin e emigrantëve të dëbuar në vende të tjera, në bisedime edhe me Kosovën

Një model për këtë qasje po përdoret në një marrëveshje të arritur me Panamanë në shkurt, sipas së cilës SHBA dërgoi një avion me mbi 100 emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, në vendin e Amerikës Qendrore.

3 Prill 2025, 18:26 Nga N.F
Kompensim ekonomik ose politik, SHBA po shqyrton deportimin e emigrantëve
Foto ilustruese

SHBA- Administrata amerikane e Presidentit Donald Trump po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje me disa vende për të pranuar emigrantët e dëbuar nga SHBA. Wall Street Journal raporton administrata amerikane ka kontaktuar me disa vende për të biseduar në lidhje me këtë temë ndër të cilat edhe Kosova. Më tej bëhet me dije se bisedime po zhvillohen edhe me vendet si Libia, Ruanda, Benini, Eswatini, Moldavia dhe Mongolia.

“Administrata amerikane shpreson që këto vende të bien dakord, ndoshta në këmbim të marrëveshjeve financiare apo përfitimeve politike”, shkruan WSJ, duke cituar burime pranë procesit.

Një model për këtë qasje po përdoret në një marrëveshje të arritur me Panamanë në shkurt, sipas së cilës SHBA dërgoi një avion me mbi 100 emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, në vendin e Amerikës Qendrore.

Mbetet e paqartë nëse Kosova dhe vendet e tjera të listuara do t'i pranojnë kushtet e propozuara nga administrata amerikane. Kosova paraprakisht ka arritur marrëveshje me Danimarkën për dhënien me qira të qelive të burgut në Gjilan, për të burgosurit që do të transferohen nga ky shtet. Sipas kushteve të marrëveshjes, Danimarka do t'i paguajë Kosovës rreth 210 milionë euro për një periudhë 10-vjeçare.

SHBA shpresojnë që këto shtete të pranojnë transferimin në këmbim të kompensimit ekonomik ose politik, si pjesë e një prej objektivave prioritare të Presidentit Trump: të rrisë ndjeshëm numrin e riatdhesimeve. Në rastin konkret të Libisë, propozimi i SHBA-së ngre pyetje të rëndësishme nga pikëpamja e të drejtave të njeriut dhe menaxhimit të flukseve migratore.

Sipas “Wall Street Journal”, propozimi përfaqëson një përpjekje të administratës amerikane për të zhbllokuar procedurat e riatdhesimit, të cilat shpesh ngecin për shkak të refuzimit ose ngadalësimit të vendeve të origjinës për të pranuar qytetarët e tyre.

Në krye të kësaj përpjekjeje është Stephen Miller, zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe një figurë kyçe në përpjekjet e vijës së ashpër të imigracionit. Miller po përpiqet të kopjojë modele tashmë të testuara nga vende të tjera perëndimore, si marrëveshja e vitit 2022 midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Ruandës dhe ajo midis Italisë dhe Shqipërisë.

shba kosova

Sondazh

Poll