Politike

Pensionet, ekonomia, arsimi dhe shëndetësia/ "Lëvizja Bashkë" prezanton programin qeverisës: Katër shtyllat kryesore të planit!

Lëvizja Bashkë thotë se katër janë shtyllat programore të programit: shteti zhvillimor, shteti social, shteti i së drejtës dhe pjesëmarrja demokratike.

26 Mars 2025, 22:24 Nga B.Z
Pensionet, ekonomia, arsimi dhe shëndetësia/ "Lëvizja
Arlin Qori

TIRANË - Kryetari i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori, ka prezantuar këtë të mërkurë programin qeverisës të kësaj force politike, nga pensionet, arsimi, ekonomia dhe shëndetësia. 

Në një reagim në rrjete sociale, Lëvizja Bashkë shkruan se programi qeverisës është produkt i punës së rreth 50 ekspertëve dhe profesionistëve, të cilët kanë punuar 15 muaj për të studiuar rrugëdaljet nga kriza permanente.

Lëvizja Bashkë thotë se katër janë shtyllat programore të programit: shteti zhvillimor, shteti social, shteti i së drejtës dhe pjesëmarrja demokratike.

Gjithashtu sipas Lëvizjes Bashkë, programi parashikon rritje të pensioneve dhe kujdesit social mbi minimumin jetik, arsim dhe kujdes shëndetësor universal e cilësor, përmirësim të politikave të strehimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit.

Reagimi i plotë i Lëvizjes Bashkë

Sot në mbrëmje Lëvizja BASHKË prezantoi programin qeverisës me të cilin do të hyjmë në zgjedhjet e 11 majit. Programi ynë është produkt i punës së rreth 50 ekspertëve dhe profesionistëve, të cilët kanë punuar 15 muaj për të studiuar rrugëdaljet nga kriza permanente.

Mes shumë anëtarëve dhe mbështetësve të Lëvizjes, drejtuesja e eventit Ariela Zeneli ia dha fjalën drejtuesit shkencor të punës së grupit të programit, pedagogut të shkencës politike Sofokli Meksi. Pas tij aktivistët Redi Muçi, Jani Marka, Redi Kociaj dhe Bora Mema parashtruan katër shtyllat programore: shteti zhvillimor, shteti social, shteti i së drejtës dhe pjesëmarrja demokratike.

Shqipëria ka nevojë për një transformim të madh ekonomik, social dhe demokratik. Lëvizja BASHKË ka planin e detajuar të mëkëmbjes së bujqësisë, industrisë, infrastrukturës, energjetikës e turizmit të qëndrueshëm.

Po ashtu, duke luftuar korrupsionin dhe informalitetin, do të rrisim pensionet dhe kujdesin social mbi minimumin jetik, do të sigurojmë arsim dhe kujdes shëndetësor universal e cilësor, do të çojmë përpara politika të strehimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit.

Për ne kanë rëndësi madhore edhe fuqizimi i ndarjes së pushteteve, sundimi i ligjit dhe lufta institucionale ndaj korrupsionit e kapjes së shtetit. Të gjitha këto parime e zotime nuk mund të realizohen pa demokratizimin e sistemit politik, pjesëmarrjen qytetare, rë drejtat në punë, barazinë gjinore, të drejtat e diasporës dhe një politikë të jashtme dinjitoze.

Ky program ka për të qenë udhërrëfyesi ynë jo vetëm për 11 majin, por për dekadën e ardhshme. Lëvizja BASHKË do t'i përhapë idetë e saj në çdo qytet e fshat të Shqipërisë.

arlind qori levizja bashke program qeverises 2025

Sondazh

Poll