Politike

REL: Osmani kërkon përsëri heqjen e masave ndaj Kosovës në takimin me ambasadorët e BE-së

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

26 Mars 2025, 20:52 Nga B.Z
REL: Osmani kërkon përsëri heqjen e masave ndaj Kosovës
Vjosa Osmani

KOSOVË - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar përsëri nga Bashkimi Evropian (BE) t’i heqë masat “e padrejta” ndaj Kosovës, gjatë një takimi të mërkurën me ambasadorët e vendeve të bllokut evropian në Prishtinë.

“Theksova urgjencën e largimit të masave të padrejta ndaj Kosovës, që dëmtojnë qytetarët tanë dhe cenojnë vet parimet e BE-së”, shkroi Osmani në Facebook.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

Një zëdhënës i bllokut i tha Radios Evropa e Lirë në shkurt se “masat e përkohshme të BE-së janë të kthyeshme dhe Këshilli tashmë ka vendosur kushte për heqjen graduale të tyre, të cilat lidhen me marrjen e hapave nga Kosova për uljen e tensioneve në veri”.

Osmani dhe liderë të tjerë të vendit kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e masave, siç ka kërkuar së voni edhe Parlamenti Evropian. Ndërkohë, Osmani tha se në takimin e së mërkurës me ambasadorët e vendeve të bllokut bisedoi edhe për hapat drejt konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit si dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kosova mbajti zgjedhje parlamentare me 9 shkurt dhe pritet të ketë institucione të reja së shpejti, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet t'i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të enjten. Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti doli e para duke i fituar 42.30 për qind të votave, apo 48 ulëse në Kuvendin me 120 sosh.

Partia Demokratike e Kosovës u rendit e dyta me 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)18.27 për qind. Asnjë parti nuk arriti t’i fitojë të paktën 61 ulëset e nevojshme për ta formuar e vetme Qeverinë e re. Kurti ka thënë se po pret certifikimin e rezultateve, para se anëtarët e partisë së tij të ulen dhe të shikojnë rrugën përpara./REL

vjosa osmani masa ndaj kosoves takimi me ambasadoret e be-se

Sondazh

Poll