Aktualitet

Ledi Shamku rendit 5 rreziqet e shqipes: Mund të mos ketë më gjuhëtarët e saj, është rrasur në një cep e rri e sheh vet

15 Janar 2020, 09:24 Nga DOSJA
Ledi Shamku rendit 5 rreziqet e shqipes: Mund të mos ketë më

Tiranë– Studiuesja Ledi Shamku ka renditur 5 rreziqet e gjuhës shqipe. Në një postim në Facebook, Shamku është shprehur se gjuha shqipe rrezikon numerikisht, pasi po aq nxënës sa jetojnë në Shqipëri jetojnë edhe jashtë. Sipas saj nxënësit jashtë vendit nuk kanë njohuritë e duhura për gjuhën shqipe.

Ajo shton më tej shqipja rrezikon shkencërisht pasi nuk ka më si  Mjeda, Çabej, Domi që mundën ta mbanin atë para syve të Studimeve Gjuhësore Europiane.  Ndërsa 3 rreziqet e tjera sipas saj janë: rrezikon të kuptohet si bezdi, po shikohet si mjet sa për të mbaruar punë dhe se mund të mos ketë më gjuhëtarët e saj. Studiuesja thekson se një mijë jetë po të kishte do të ishte gjuhëtare dhe xhandare.

Reagimi i plotë:

MBI LIBRIN “RREZIKU SHQIPO-SHQEPAN PËR SHQIPEN”. “Shqipja që u rrezikoka nga shkurtimet e adoleshentëve në celular apo se nxënësit mezi shquakan paraprapashtesat” ishte konstatim i llojit “a të qaj pesë minuta”.

Gulçi për Ligjin e Mbrojtjes së Gjuhës është shenjë e qartë se mund ta nxjerrësh dikë nga bunkeri po nuk e nxjerr dot bunkerin prej tij.

Shqipja rrezikon, po!

1. Rrezikon NUMERIKISHT! Kemi po aq nxënës jashtë vendit sa kemi brenda vendit. Dhe ata janë gjuhëhumbur nëse këtë punë e lemë veç në dorë të përpjekjeve vullnetare dashamira të emigrantëve patriotë. Jemi komb gjuhësor; quhet shqiptar veç ai që flet shqip. Mbi 500 mijë fëmijë emigrantë bij shqiptarësh po përgatiten ta humbin Shqipen.
Ligji i Bunkerit si ndihmon këtu apo ç’nemelazëm se kemi hallin e ë-ve?!

2. Rrezikon SHKENCËRISHT çintegrimin! Numërojmë nga e kaluara Bopp, Meyer, Jokl, Cimohowski, Pedersen, Hahn, Hamp, Pisani, Tagliavini, Desnickaja etj etj etj. Shqipja kishte zë, ishte shkencërisht e ndërkombëtarisht interesante për të huajt. “Studiohem pra jam!”. Gazulli, Mjeda, Çabej, Domi etj etj etj, mundën ta mbanin Shqipen para syve të Studimeve Gjuhësore Europiane: fenomenologjitë e saj studioheshin si pjesë e hartës së madhe të gjuhëve. Sot është rrasur në një cep e rri e sheh veten në pasqyrë. Si ndihmon Ligji i Bunkerit këtu apo ç’nemelazëm se kemi hallin e ç-ve!

3. Rrezikon të kuptohet si BEZDI ngaqë këto programe shkollore (madje edhe ankimet e ligjmëtonjësve) po e barazojnë dijen mbi gjuhën me dijen mbi rregullat e gjuhës dhe analizat gjuhësore. Rregulla pa Kulturë bëjnë më shumë dëm se Kultura pa rregulla. Ligji i Bunkerit si e kundërshton bezdinë e si e avit Kulturën, apo ç’nemelazëm se kemi hallin e shkurtimeve nëpër whatsappe!

4. Rrezikon TËHUAJZIMIN E DIGLOSISË duke e parë Shqipen e letrës si mjet sa për të mbaruar punë shpejt e shpejt në një komunikim formal e për ta zhveshur fill siç zbathim nga këmba një palë taka të parehatshme, mbathur sa për një qokë. Ligji i Bunkerit mendon se zgjidhet me shkop ky hall, apo prit se kemi hallin e ca deputetëve!

5. Dhe e fundit: SHQIPJA RREZIKON TË MOS KETË MË GJUHËTARËT E SAJ. Në një mjedis agresiv e të bazuar të gjithin mbi vlerat e qyrkut e të ekranit sikundër është sot mjedisi shqiptar, profesioni i brishtë e gati murgor i gjuhëtarit, që mbahet gjallë veç prej pasionit e dyshimit, ky profesion shihet si punë qyqarësh. Besojeni a jo, gjuhëtarët te ne po firojnë.
Ligji i Bunkerit si jep dorë këtu? NJËMIJË JETË TË KISHA, NË NJËMIJË JETËT DO ISHA GJUHËTARE. Gjuhëtare, jo xhandare!

J.V/Dosja.al 

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

aktualitet aktualitet 5 rreziqet e gjuhës shqipe ledi shamku 5 rreziqet e gjuhës shqipe ledi shamku

Sondazh

Poll