Aktualitet

Nuk raportuan sulmin e ndodhur 3 muaj më parë në zyrat qendrore të "ONE", zbardhen emrat e punonjësve të kompanisë të proceduar penalisht

Në njoftimin e policisë, thuhet se ngjarja është konstatuar nga punonjësi i sigurisë së brendshme i kësaj kompanie, i cili, në deklarimin e tij, ka pohuar se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.

26 Mars 2025, 10:01 Nga r.ll
Nuk raportuan sulmin e ndodhur 3 muaj më parë në zyrat qendrore
foto ilustruese

TIRANË- Janë zbardhur emrat e shtatë punonjësve të sigurimit të cilët janë proceduar penalisht për shkak se fshehën sulmin në zyrat e "ONE" nga dy persona të maskuar në dhjetor të 2024. Procedimi penal për veprat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndaj: 2 punonjësve të sigurisë së brendshme të kompanisë, Gentian Koçi 50 vjeç dhe Arsil Feshti 31 vjeç, si dhe drejtuesit të departamentit të zyrave dhe pasurisë të kësaj kompanie telefonike, shtetasit Erald Sina, 38 vjeç.

Po ashtu nisi procedimi penal për veprën “Moskallëzimi i krimit” ndaj: drejtuesit teknik dhe 4 punonjësve të grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë, shtetasve Alfred Zylalaj, 54 vjeç, Gëzim Sala, 40 vjeç, Koço Veneti, 63 vjeç, M. D., 55 vjeç; dhe Ismet Tartari, 62 vjeç.

Në njoftimin e policisë, thuhet se ngjarja është konstatuar nga punonjësi i sigurisë së brendshme i kësaj kompanie, i cili, në deklarimin e tij, ka pohuar se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale. Punonjësi në fjalë nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese, por dyshohet se ka njoftuar vetëm drejtuesin teknik dhe punonjësit e grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë. Po ashtu, është konstatuar se edhe përfaqësues të kompanisë telefonike kanë qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk e kanë kallëzuar atë në organet kompetente.

Ndërkohë bëhet me dije se vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për të verifikuar nëse janë përmbushur detyrimet ligjore dhe kontraktuale nga shoqëria private e sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë.

 

policia e shtetit one telecomunications

Sondazh

Poll