Bota

Gjermania konfiskon një cisternë nga flota e Rusisë, pavarësisht sanksioneve ndaj saj po transportonte 100,000 tonë naftë

Sipas urdhrit të sekuestros të lëshuar nga dogana kryesore, cisterna në fjalë dhe afërsisht 100 mijë tonë naftë bruto me vlerë 40 milionë euro, që mbante, do kalojnë në pronësi të shtetit gjerman.

21 Mars 2025, 17:48 Nga N.F
Gjermania konfiskon një cisternë nga flota e Rusisë,
Foto ilustruese

GJERMANI- Qeveria gjermane ka marrë masa kundër një cisterne nga flota hije që Rusia vazhdon të përdorë për të shitur naftë në mbarë botën, pavarësisht sanksioneve ndaj saj. Konkretisht, sipas Spiegel, të premten e kaluar doganierët gjermanë kapën cisternën "Eventin", e cila lundronte nën flamurin panamez dhe ishte ankoruar në brigjet e ishullit Rügen që nga mesi i janarit.

Sipas urdhrit të sekuestros të lëshuar nga dogana kryesore, cisterna në fjalë dhe afërsisht 100 mijë tonë naftë bruto me vlerë 40 milionë euro, që mbante, do kalojnë në pronësi të shtetit gjerman. Më tej, në bazë të shërbimeve ligjzbatuese, pas nxjerrjes së vendimit përkatës, cisterna Eventin do të zhvendoset nën flamur tjetër.

Për më tepër, një raport i Bild raportoi se më 10 janar, në Detin Baltik pranë ishullit gjerman të Rügen, cisterna Eventin kishte humbur orientimin e saj. Anija 248 metra e gjatë mbante rreth 99 mijë tonë naftë në atë kohë. Duke lundruar nën flamurin panamez, ajo kishte ngarkuar naftë në portin balltik rus të Ust-Luga, pranë kufirit me Estoninë. Ai u nis më 6 janar, me destinacion Port Said, Egjipt. Megjithatë, ka të ngjarë të ishte drejtuar për në Indi, një vend që nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe aktualisht është blerësi më i madh i naftës ruse.

rusia gjermania

Sondazh

Poll