Politike

Memorandumi me Shqipërinë dhe Kroacinë për sigurinë mund të zgjerohet, ministri Maqedonci: Bullgaria ka shprehur interes, dera e hapur për vendet e tjera të rajonit!

Sipas tij, kjo iniciativë fillimisht u diskutua në Zagreb vitin e kaluar, ku u hodh ideja e një marrëveshjeje trilaterale, por pa përjashtuar mundësinë që vende të tjera të rajonit t’i bashkohen më vonë.

20 Mars 2025, 22:59 Nga N.F
Memorandumi me Shqipërinë dhe Kroacinë për sigurinë
Foto ilustruese

KOSOVË- Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se marrëveshja ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë mund të zgjerohet, pasi Bullgaria ka shprehur interes për t’iu bashkuar në një të ardhme të afërt. Sipas tij, kjo iniciativë fillimisht u diskutua në Zagreb vitin e kaluar, ku u hodh ideja e një marrëveshjeje trilaterale, por pa përjashtuar mundësinë që vende të tjera të rajonit t’i bashkohen më vonë.

“Iniciativa për këtë marrëveshje u ngrit gjatë vizitës sime në Zagreb verën e kaluar, kur diskutova me ministrin Nanoshië. Ne e konsideruam mundësinë e një bashkëpunimi trilateral duke përfshirë edhe Shqipërinë, por gjithmonë duke lënë të hapur derën për vendet e tjera të rajonit që ndajnë vlera të përbashkëta Euroatlantike”, tha Maqedonci.

Ai tha se kjo marrëveshje nuk synon të kërcënojë askënd, por të rrisë bashkëpunimin mes vendeve të rajonit që kanë interesa të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Nuk është synim i kësaj marrëveshjeje që të kërcënojë askënd, por të forcojë bashkëpunimin rajonal mes vendeve që ndajnë të njëjtat vlera dhe interesa strategjike. Kjo është një nismë për stabilitet dhe siguri në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Maqedonci në emisionin CONTEXT.

Ministri konfirmoi se janë në kontakt me vende të tjera të NATO-s dhe se Bullgaria është një ndër shtetet që mund të bëhet pjesë e kësaj marrëveshjeje shumë shpejt.

“Ministrja Nushiç ka theksuar para nënshkrimit të marrëveshjes në Shqipëri se edhe Bullgaria mund të bëhet pjesë e kësaj iniciative në një të ardhme të afërt. Por ne mbetemi të hapur edhe për vende të tjera që duan të jenë pjesë e këtij bashkëpunimi”, tha Maqedonci.

maqedonci

Sondazh

Poll