Politike

Rama fiton "betejën", Veliaj nga burgu: Kam firmosur gabim, delegimi i punëve të bashkisë është rikthyer te Ristani

Kryebashkiaku thotë se përplasja e përfolur me kryeministrin Edi Rama është një keqkuptim.

20 Mars 2025, 17:52 Nga r.ll
Rama fiton "betejën", Veliaj nga burgu: Kam firmosur gabim,
erion veliaj

DURRËS- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar nga qelia e paraburgimit në Durrës lidhur me zhvillimet e fundit mbi drejtimin e bashkisë. Përmes një postimi në Facebook, kryebashkiaku thotë se përplasja e përfolur me kryeministrin Edi Rama është një keqkuptim.

Ai shkruan se ka firmosur gabim ridelegimin te Sara Goxhaj, ku shton se ka menduar se ky emër ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues. Siç duket Veliaj është dorëzuar përballë zgjedhjes së kryeministrit dhe njofton se delegimi i punëve të bashkisë Tiranës është rikthyer aty ku ishte, te zëvendëskryebashkiakja Anuela Ristani. 

POSTIMI I VELIAJT: 

U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh.

E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.

E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.

E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë.

Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi.

Çfarë ka ndodhur në Bashkinë Tiranë?

Pas arresimit të Veliajt, në krye të Bashkisë Tiranë me pëlqimin e Ramës është vendosur Anuela Ristani. Por kjo e fundit nuk ka marrë aprovimin e Veliajt, i cili me datë 18 mars nga burgu i Durrësit ka firmosur dokumentin që ia delegon detyrat e tij Sara Goxhajt. Menjëherë pas marrjes se njoftimit, Rama ka shkuar në Bashkinë Tiranë dhe ka urdhëruar protokollin që të zhbëj veprimet e Veliajt. Dhe duke shkarkuar Dokushin dhe Goxhajn, dy të besuarit e Veliajt në Bashkinë Tiranë, Rama ka marrë komplet kontrollin e institucionit që vetë e drejton nga jashtë.

Ndërkohë ditën e sotme, burime ekskluzive të Dosja.al, bënë me dije se Rama pas shkarkimit të Alban Dokushit si Sekretar i Përgjithshëm ka emëruar Jonida Halilin në këtë post, e cila më parë ka mbajtur postin e zv/kryetares së Bashkisë.  Burimet shtojnë se ky veprim i Ramës nuk është pritur mirë nga Veliaj, i cili nga burgu i Durrësit ka urdhëruar policinë Bashkiake në Tiranë që ruan institucionin e Bashkisë që mos të lejojnë hyrjen e Halilit në Bashki. Bashkia tashmë është e paralizuar dhe për momentin merr urdhëra vetëm nga qelia e burgut të Durrësit./Dosja.al

erion veliaj anuela ristani bashkia e tiranes

Sondazh

Poll