Aktualitet

Aksidenti tragjik me 4 viktima në aksin Fushë Prezë/ Arrestohet shoferi i betonieres dhe dy persona të tjerë, në kërkim administratori i firmës së betonit

Policia ka arrestuar gjithashtu menaxherin e firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi Aleksandër Krrashi për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. 

20 Mars 2025, 15:07 Nga r.ll
Aksidenti tragjik me 4 viktima në aksin Fushë Prezë/ Arrestohet
foto ilustruese

TIRANË- Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, i cili ishte shoferi i betonieres me të cilën u përplasë për vdekje 4 të rinjtë në Fushë Prezë, është arrestuar sot nga policia. Krrashi akuzohet për kryerjen e veprave penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Sipas informacioneve policore, automjeti ku u dhëtonin katër të rinjtë me shpejtësi të lartë është përplasur me betonieren që ishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Po ashtu bëhet me dije se shoferi nuk kishte lejen e drejtimit për këtë kategori automjetesh. Pas aksidentit i riu është larguar nga vendngjarja

Më tej bëhet me dije se në pranga është vënë edhe Valentin Krrashi, i afërm i 24-vjeçarit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i aksidentit, 24-vjeçarin. Policia ka arrestuar gjithashtu menaxherin e firmës, shtetasin Daniel Koxha, për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi Aleksandër Krrashi për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. 

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh. Ndërkohë është shpallur në kërkim administratori i firmës së betonit, 27 vjeç.

NJOFTIMI I POLICISË:

Tiranë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, për aksidentin e ndodhur në Fushë Prezë, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit:

-A. K., 24 vjeç, drejtuesi i automjetit betoniere, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në segmentin rrugor ”Vorë - Fushë Krujë”, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. L., 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonieren me drejtues shtetasin A. K. (pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh), që kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja;

-V. K., 25 vjeç, i afërm i 24-vjeçarit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i aksidentit, 24-vjeçarin;

-D. K., 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi A. K., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.

-Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç. Punohet për kapjen e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

aksidenti ne fushe preze aleksander krrashi policia e tiranes

Sondazh

Poll