Aktualitet

Vrasja e Fatbardh Licit, Apeli i GJKKO lë në burg Safet Bajrin, Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin! Dëshmia në seancë

Gjatë seancës Safet Bajri ka mohur të ketë lidhje me ngjarjen teksa ka pretenduar se ditën e ngjarjes ka qënë në një diskotekë dhe restorant peshku. Megjithatë Gjykata ka lënë në qeli dy Bajrat dhe Bilalin me argumentin se përgjimet kanë vërtetuar të kundërtën dhe 3 të pandehurit janë të implikuar në vrasjen e Licit.

20 Mars 2025, 12:45 Nga Dosja
Vrasja e Fatbardh Licit, Apeli i GJKKO lë në burg Safet Bajrin, Behar
Safet Bajri, Behar Bajri, Astmer Bilali

TIRANË - Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masat "Arrest në burg" për Safet Bajrin, Behar Bajrin dhe Asmer Bilalin të cilët akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018. Gjatë seancës Safet Bajri ka mohur të ketë lidhje me ngjarjen teksa ka pretenduar se ditën e ngjarjes ka qënë në një diskotekë dhe restorant peshku. 

"S'e kuptoj se si mund të quhen prova këto përgjime pa lidhje. Unë në diskotekë dhe restorant peshku kam qenë atë ditë. Me ikur në shtëpi, nga ajo rrugë do të kaloj, ku kam kaluar gjithmonë", ka thënë ai.

Megjithatë Gjykata ka lënë në qeli dy Bajrat dhe Bilalin me argumentin se përgjimet kanë vërtetuar të kundërtën dhe 3 të pandehurit janë të implikuar në vrasjen e Liçit.

Për vrasjen e Fatbardh Licit, SPAK ka arrestuar edhe ish miss-in Eria Ago, e cila asokohe dyshohet se ka qenë e dashura e Safet Bajrit (Rustemit). Ajo akuzohet për veprën penale të krijimit të kushteve për të kryer vrasje dhe përkrahje te autorit të krimit. Burime bëjnë me dije se Eria Ago ka shërbyer si drejtuesja e automjetit me të cilin ndodheshin Astmer Bilali dhe Safet Bajri, duke çuar dy ekzekutorët e Licit drejt Shkodrës ditën e vrasjes.

Arrestimi i Safet Bajrit 

Safet Bajri u arrestua më 21 shkurt 2025. Bashkë me masën “arrest me burg” GJKKO ka miratuar me kërkesë të SPAK edhe kërkesën për kryerjen e një analize të ADN-së së Safet Bajrit. Sipas raportimeve, ditën që u soll nga Shkodra në policinë e Tiranës e pranishme ka qenë edhe ekspertja që do të merrte kampionet për ADN, por nuk është lejuar në atë moment nga i arrestuari, i cili ka kërkuar të bëhet në një ditë tjetër.

Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme, pas ekzekutimit të masave të arrestit ndaj tyre thuhej se ndaj Bajrave dhe Bilalit rëndojnë akuzat për "Vrasje me paramendim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Dyshohet se të tre personat e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë organizuar dhe kryer vrasjen e Fatbardh Licit. SPAK ka bërë me dije se ka mbledhur prova të mjaftueshme për të zbardhur ekzekutimin e Licit. Në njoftimin e prokurorisë thuhej gjithashtu se motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet me faktin që Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Boran Bërçana. Kështu për të marrë hak, Bajrajt dhe Bilali kanë vrarë Fatbardh Licin më 8 gusht të vitit 2018.

 

safet dhe behar bajri fatbardh lici

Sondazh

Poll