Politike

"Ne do i shpërndajmë krejt ndryshe të ardhurat"/ Berisha: Projekti i Shqipërisë Madhështore fillon te pensionistët

Gjithashtu Berisha akuzoi qeverinë për shpërfilljen e pensionistëve dhe për uljen e fuqisë blerëse të tyre, ndërsa premtoi një rishpërndarje tërësisht të ndryshme të të ardhurave shtetërore.

20 Mars 2025, 14:12 Nga E. D
"Ne do i shpërndajmë krejt ndryshe të ardhurat"/
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë takimit me demokratët e njësisë 8 në Tiranë, ka shpallur projektin e tij për "Shqipërinë Madhështore". Lideri i opzitës tha se ai do të nisë me përmirësimin e jetës së pensionistëve. Gjithashtu Berisha akuzoi qeverinë për shpërfilljen e pensionistëve dhe për uljen e fuqisë blerëse të tyre, ndërsa premtoi një rishpërndarje tërësisht të ndryshme të të ardhurave shtetërore.

"Të dashur miq, ne kemi shpallur para jush dhe mbarë shqiptarëve projektin e Shqipërisë Madhështore. Pse ku epitet për këtë projekt? Nuk përdoret pa baza, përdoret me shumë baza. Ky projekt fillon te pensionisti kësaj here. Sepse pensionistin kjo qeveri e ka diskredituar në mënyrën më armiqësore. Dmth ka punuar zonja e nderuar apo zotëria i nderuar gjithë jetën dhe nga viti 2013 gjer në vitin 2025, çmimet e ushqimeve me statistika zyrtare, janë rritur 40 përqind, pensioni është indeksuar vetëm me 20 përqind.

Dmth, pensioni që ai merr sot, është 20 përqind më i ulët se merrte në vitin 2013. Dhe pensioni që merr bashkëmoshatari i tij në Mal të Zi është tre herë më i lartë. Malazezët në vitin 2013 merrnin pensione më të ulëta se në Shqipëri. Malazezi e ka pensionin mesatar 450 euro, shqiptarët e kanë pensionin mesatar 170 euro.
Po çfarë ndodhi? Shumë e thjeshtë mo miq, qeveria çdo vit, të ardhurat që mbledh, që janë taksa që paguajnë qytetarët në çdo gjë, i shpërndan. Një pjesë i lë për rrogëtarët, një pjesë për pensionistët, një pjesë i çon për shëndetësinë, poër shkollimin e fëmijëve, etj.

Ky thotë, se në qoftë se unë rris pensionet, shembet ekonomia dhe Shqipëria. Gënjeshtër e ligë dhe banale.
Sigurisht që fondi i pensioneve nuk është një barrë, por është një barrë që duhet ta përballosh se ata kanë shkrirë jetën. Pse Mali i Zi, Serbia e Maqedonia e trefishuan pensionin në një kohë kur tonat u indeksuan 20 përqind? Çfarë ndodhi? Fare thjeshtë, ata paratë që marrin nga buxheti i ndajnë një pjesë dhe i çojnë në fondin e pensioneve. Prandaj shkon pensioni atje 450 euro, kurse këtu mbetet 160 euro.

Dëgjoja një ministre që thoshte se me 140 euro nuk je i varfër. Duhet të jesh i luajtur nga mendja që të flasësh në këtë mënyrë. Në një kohë kur paguan korentin 85 lekë për kilovat, është dyfishuar çmimi i ujit, i ilaçeve që nuk japin as efekt. Prandaj ne, Shqipërinë Madhështore do e fillojmë me ato të ardhura që i marrim, do i shpërndajmë krejt ndryshe. Do i çojmë për rroga, për pensione, dhe u garantoj ju se ne do ndërtojmë më shumë rrugë, më shumë shkolla, më shumë infrastrukturë. Të pakrahasueshëm me ta," tha Berisha. 

sali berisha

Sondazh

Poll