Aktualitet

Akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike, GJKKO merr vendimin për Jovan Memaj dhe Bernard Tahiraj

Memaj dhe Tahiraj do t'i vuajnë dënimet përkatëse në burg të sigurisë së lartë.

19 Mars 2025, 16:22 Nga r.ll
Akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike, GJKKO merr
foto ilustruese

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për të pandehurit Jovan Memajn dhe Bernard Tahirajn, të arrestuar në kuadër të operacionit "Shpirti". Trupa e gjyqtarëve Matilda Llangozi, Taulant Banushi dhe Besjana Gerxanaj ka shpallur fajtor Jovan Memën për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, "Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe e ka dënuar përfundimisht me 8 vjet burg. Memaj është dekklaruar i pafajshëm për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

Ndërkohë, Bernard Tahiraj është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe është dënuar me 3(tre) vjet burgim. Për Tahirajn është pushuar akuza për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”. Memaj dhe Tahiraj do t'i vuajnë dënimet përkatëse në burg të sigurisë së lartë.

NJOFTIMI I PLOTË:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Jovan Memaj dhe Bernard Tahiraj”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Matilda Llangozi, Taulant Banushi dhe Besjana Gerxanaj, me vendimin Nr. 27, datë 19.03.2025 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Jovan Memaj për kryerjen e veprës penale të “Kultivimi i bimëve narkotike”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 284/1,28/4 të Kodit Penal dhe në bazë edhe të nenit 334/1 të Kodit Penal dënimin e tij me 9 (nëntë) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Jovan Memaj për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 283/a/1, 28/4 të Kodit Penal dhe në bazë edhe të nenit 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Jovan Memaj për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3(tre) vjet burgim.

4. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Jovan Memaj për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 287/1, gërma “b”, të Kodit Penal për shkak se nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën që akuzohet.

5. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve të dhëna, i pandehuri Jovan Memaj dënohet me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.

6. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e masë së dënimit të dhënë dhe në përfundim dënimin e të pandehurit Jovan Memaj me 8 (tetë) vite burgim.

7. Vuajtja e dënimit do të fillojë nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe do të kryhet në burgun e sigurisë së lartë.

8. Pushimin e akuzës ndaj të pandehurit Bernard Tahiraj për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga neni 283/a/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal.

9. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bernard Tahiraj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3(tre) vjet burgim.

10. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e masë së dënimit të dhënë dhe në përfundim dënimin e të pandehurit Bernard Tahiraj me 2 (dy) vite burgim.

11. Vuajtja e dënimit do të fillojë nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit “Arrest në Burg” për efekt të këtij procedimi penal dhe do të kryhet në burgun e sigurisë së lartë.

12. Shpenzimet proceduriale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit për evidentimin e shpenzimeve të hetimit, dhe ato gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës për evidentimin e shpenzimeve gjyqësore, në referim të neneve 393/1 dhe 285/1 të K.Pr.Penale, i ngarkohen të pandehurve të cilët deklarohen fajtorë, në
mënyrë solidare.

13. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ekzekutimin e këtij vendimi.

14. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.

jovan me bernard tahiraj gjkko

Sondazh

Poll