Sport

Skënderbeu befason Vllazninë në “Loro Boriçi”, kundërsulmi me Nassr ishte vrasës!

Korçarët marrin tri pikë të arta në Shkodër falë fitores 2-1 kundër Vllaznisë

15 Mars 2025, 21:23 Nga DOSJA
Skënderbeu befason Vllazninë në “Loro Boriçi”,

SHKODER - Skënderbeu, atë që nuk bëri në Korçë një javë më pare, e bëri në Shkodër. Bardhekuqtë korçarë fituan 2-1 në Shkodër kundër Vllaznisë, për javën e 30-të të “Abissnet Superiores”.

Skënderbeu shënoi dy gola falë dy kundërsulmeve vrasëse, me anë të Nassr, duke ringjallur seriozisht shpresat për të mbijetuar në kategorinë e më të mirëve. Korçarët largohen nga Shkodra me tri pikë të arta, duke i ngatërruar ujërat në fundin e renditjes.

Në “Loro Boriçi”, ishin shkodranët që e nisën me sulm dhe iu afruan rrezikshëm portës në minutën e dytë, kur Mala hyn në zonë nga e majta dhe gjuan, Alia reagon menjëherë duke i bllokuar rrezen e portës. Në minutën e 10-të, kundërsulmi i Skënderbeut, i konkretizuar nga Nassr, sjell golin e avantazhit për miqtë. Egjiptiani vërshon drejt zonës dhe gjuan me të djathtën, duke dërguar topin në rrjetë ngjitur me shtyllën.

Pas pushimit, Vllaznisë i duhen vetëm katër minuta për të barazuar. Qato përfiton nga gabimi i Estrelës, që kërkon të pasojë në qendër dhe i rrëmben topin, hyn në zonë dhe me të majtën mposht Alian. Një gol i bukur, që kthen ekuilibrin në fushë, 1-1.

Në minutën e 82-të, më në fund Skënderbeu e gjen edhe golin e dytë. Kundërsulm nga e djathta, portieri Jukaj grushton gjuajtjen, por nuk arrin ta largojë topin që përfundon në këmbët e Nassr dhe ky shënon me portën bosh. VAR konfirmon golin pas një vëzhgimi të shpejtë dhe Skënderbeu arrin të ruajë rezultatin deri në fund, për të ikur nga Shkodra me tri pikë të vlefshme për mbijetesën.

 B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll