Sport

Gerard Pique mohon t'i ketë paguar ryshfet Luis Rubiales, për Superkupën në Arabi...

Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, i akuzuar për një rast të dyshuar korrupsioni, mohoi para gjykatësit të premten se i kishte paguar ryshfet ish-shefit të Federatës Spanjole të Futbollit, Luis Rubiales për zhvendosjen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite.

14 Mars 2025, 17:43 Nga DOSJA
Gerard Pique mohon t'i ketë paguar ryshfet Luis Rubiales, për

SPANJE - Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, i akuzuar për një rast të dyshuar korrupsioni, mohoi para një gjyqtari të premten se i kishte paguar ryshfet ish-shefit të Federatës Spanjole (RFEF) Luis Rubiales për zhvendosjen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite, sipas një burimi gjyqësor.

Kampioni i botës 2010 doli për gati dy orë para një gjyqtari në gjykatën Majadahonda, në periferi të Madridit, për rolin e tij në negociatat e kontratës midis kompanisë saudite Sela dhe RFEF.

Në vitin 2019, ndërsa luante ende për Barçën, ish-mbrojtësi spanjol veproi si ndërmjetës, përmes kompanisë së tij Kosmos, në marrëveshjen për zhvendosjen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite për rreth 40 milionë euro në vit. 

Falë kësaj kontrate, ai do të merrte 4 milionë euro në vit nëpërmjet kompanisë së tij, një komision i konsideruar potencialisht mashtrues nga gjyqtari përgjegjës i kësaj çështjeje, i cili po heton një sërë kontratash të nënshkruara nga RFEF gjatë mandatit të Luis Rubiales, midis 2018 dhe 2023.

Pique foli për "dëmtimin e reputacionit të tij"

Një burim gjyqësor raportoi se Pique i tha gjyqtarit se ai nuk kishte paguar "asgjë" për Rubiales, ose dikë tjetër në Federatë. Në fund të seancës, ish-ylli i Barçës ka nisur të qajë, sipas këtij burimi, teksa ka folur për “dëmtimin e reputacionit të tij” që i ka shkaktuar mbulimi mediatik i kësaj afere.

Kontrata saudite është në qendër të këtij hetimi që tronditi futbollin spanjol vitin e kaluar, dhe në të cilin ish-presidenti i RFEF Luis Rubiales dhe pasuesi i tij Pedro Rocha janë të dy nën hetim.

Rubiales, i cili së fundmi u gjobit me 10.800 euro në shkallë të parë për sulm seksual për puthjen që i detyroi lojtares Jenni Hermoso në vitin 2023, kishte mohuar marrjen e parave "në mënyrë të parregullt" në këtë procedurë tjetër.

Regjistrimet e bisedave midis Rubiales dhe Piqué, të publikuara në media në vitin 2022, zbuluan se të dy burrat kishin diskutuar për komisione me vlerë disa milionë euro.

Kjo aferë, e cila implikon disa drejtues të RFEF dhe ish-bashkëpunëtorë, kishte shtyrë qeverinë spanjole të vendoste nën mbikëqyrje organin "në interes" të vendit, bashkëorganizatorit të ardhshëm të Kupës së Botës 2030 me Marokun dhe Portugalinë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll