Sport

Alarm i kuq para Anglisë, kuqezinjtë mes dëmtimeve dhe mungesave…

Trajneri Sylvinho me dhimbje koke, që nisin nga mbrojtja deri ne sulm

14 Mars 2025, 15:34 Nga DOSJA
Alarm i kuq para Anglisë, kuqezinjtë mes dëmtimeve dhe

TIRANE - Kombëtarja kuqezi nga kjo fundjavë nis zyrtarisht përgatitjet për eliminatoret e Kampionatit Botëror, ku gjithçka për ne starton nga tempulli i futbollit botëror jo vetëm anglez, Wembley, aty ku do të përballemi me skuadrën më të fortë të grupit, jo vetëm në letër, Anglinë.

Një grumbullim jo si duhet, apo si do të donte Sylvinho, me shume lojtarë kryesorë, apo te formacionit të suksesshëm deri më tani dhe që na çoi si të parët e grupit tonë në finalet e Europianit “Gjermani 2024”.

Dhimbja kokës më e madhe për Sylvinhon fillon nga mbrojtja, ku do te mungojë Elseid Hysaj apo Mario Mitaj, i rikthyer në këtë fundjavë, por që nuk do të jetë në formën e tij maksimale dhe në dyshim për t’u aktivizuar. E njëjta gjë edhe për Ardian Ismajlin.

Kështu reparti i mbrojtjes për Shqipërinë ka mbetur tek alternativa emergjente nga Dinamo, Naser Alijin, më pas vijon me Andi Hadroj, Ivan Balliu, Adrian Bajrami, Enea Mihaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti dhe Marash Kumbulla, i cili gjithashtu nuk ka qenë në formë optimale fizike. 

Emri surprizë i këtij grumbullimi dhe më i bujshëm i ditëve të fundit pritet të jetë mesfushori Etnik Brruti, I larguar nga përfaqësuesja e moshave të Kosovës, direkt nën urdhrat e Sylvinhos.

Ai do të jetë pjesë e listës prej 25 lojtarësh, ndërkohë që vetëm 23 do të jenë në fushë dhe pankinën e Wembley, ndërsa pjesa e mbetur në tribunë. Gjithsesi, trajneri brazilian e ka grumbulluar për ta patur si alternativë për ndeshjen me Anglinë ndoshta, apo edhe me Andorrën më 24 mars.

Në tërësi ky grumbullim nuk është aty ku duhej, pasi momenti I lojtarëve tanë të Kombëtares nuk është aspak I mirë, problemeve në mbrotje i shtohen edhe ato në sulm, me mungesën e Brojës dhe gjendjen jo të mirë të Dakut, i cili është në prag të operimit dhe po aktivizohet me qetësues, apo Tuci gjithashtu jashtë liste.

Me Uzunin që gjithmonë e më pak do të preferohet nga Amerika e largët dhe me Rey Manajn i izoluar nga klubi dhe mjekët turq, pasi humbi ndjenjat rreth një javë më parë në kampionatin turk. Kështu shpresat e sulmit për këtë grumbullim mund të kenë një emër të ri, Kristian Shpendi.

E njëjta gjë ndodh me mesfushën, ku Asllani luan shumë pak, ndërsa Ramadani thuajse aspak nga lider i padiskutueshëm tek Lecce. E njëjta gjë edhe për Bajramin që ka humbur busullën tek Rangers.

Megjithatë asnjë ndeshje nuk konsiderohet e humbur apo e fituar pa u luajtur dhe në futboll kemi parë të ndodhë gjithçka edhe pse duhet të dimë se Anglia është kundërshtari ynë në këto eliminatore, jo rivali me të cilin duhet të matemi.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll