Politike

"Shqipëria Madhështore"/ Berisha: Ne do përqendrohemi me të gjitha forcat tona që të nxisim prodhimin në vend

Berisha u shpreh se rënia e prodhimit do të thotë stopim i zhvillimit.

14 Mars 2025, 11:33 Nga r.ll
"Shqipëria Madhështore"/ Berisha: Ne do përqendrohemi
sali berisha

ELBASAN- Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur sot në Elbasan se me ardhjen në qeveri prodhimi do të jetë prioriteti absolut. Berisha u shpreh se rënia e prodhimit do të thotë stopim i zhvillimit.

Ai u shpreh se do ta bëjnë Shqipërinë vendin më tërheqës për investimet e huaja dhe se programi i tyre për Shqipërinë Madhështore do të realizohet në mënyrë absolute. 

"Unë besoj se përzgjedhja jonë që ekonomia të jetë epiqendër e programit dhe në këtë kuadër prodhimi në Shqipëri të jetë krenaria jonë, është e drejtë. Po shterron, nuk po prodhon Shqipëria. Po të vini re ju, nga mëngjesi gjer në darkë flitet për turizëm. Shumë mirë, është potencial i madh, por të ardhurat nga turizmi janë qesharake për të gjithë popullatën. Statistikat tregojnë se vitin e kaluar me 11.6 milionë turistë, janë gjithsej 7.8 milionë net fjetje. Përsëri turistëve u takon 0.7 net fjetje, asnjë natë fjetje për turist.

Kjo do të thotë se në shitjen e përgjithshme, kanë pasur një vit më parë 140 milionë euro, këtë vit mund të kenë 150 milionë euro. Si TVSH e tyre merren 7-8 milionë euro. Pra, qytetari që nuk ka hotel apo apartamente me qira dhe që janë 90 përqind e shqiptarëve, ata fitojnë gjithsej 4-5 euro për turist. Ndërkohë japin për turizmin 230 euro nga taksat e tyre. Sepse ky shpenzon 430 milionë euro për infrastrukturën e komplekseve të investitorëve strategjikë. Ky është stil kolonial. Ky është shfrytëzimi më tipik kolonial. Kjo merr fund.

Ne do të formalizojmë turizmin. Ne kemi investuar dhe do investojmë përsëri në turizëm. Por prodhimi është prioriteti ynë absolut. Gjashtë semestra me radhë që bie punësimi. Rënia e prodhimit është stopim i zhvillimit. Ndaj ne do përqendrohemi me të gjitha forcat tona që të nxisim prodhimin në Shqipëri. Absolutisht e realizojmë këtë me siguri dhe shpejtësi. Do e bëjmë Shqipërinë vendin më tërheqës për investimet e huaja. Do tërheqim kompanitë më të mëdha të teknologjisë së lartë. Ku e bazoj këtë? Kemi rritur nga viti 2006 deri në vitin 2013 eksportet me 320 përqind. Eksporti është prodhim. Ndaj dhe ne përqendrohemi tek ky program, sepse ky program për Shqipërinë Madhështore është absolutisht në duart tona dhe kjo realizohet plotësisht.", u shpreh Berisha.

sali berisha ne elbasan

Sondazh

Poll