Politike

Nis mbledhja e Partisë Socialiste, Rama mbledh në seli drejtuesit politikë qarqeve

Kjo mbledhje vjen pak orë nga përfundimi i afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

12 Mars 2025, 14:23 Nga N.F
Nis mbledhja e Partisë Socialiste, Rama mbledh në seli drejtuesit
Rama dhe Ulsi Manja

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e sotme në selinë e PS-së drejtuesit politikë të qarqeve. Rama është fotografuar krah ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja teksa futeshin në selinë rozë. Raportohet se mbledhja ka nisur dhe se Rama do të këtë bisedime me të gjithë drejtuesit politikë në qarqe, më vete.

Kjo mbledhje vjen pak orë nga përfundimi i afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Deri më tani listat e kandidatëve për deputeti për 12 qarqe i ka dorëzuar "Lëvizja Bashkë".

Partia Socialiste do të mbledhë në orën 19:00 Kryesinë, nga ku do të dalë dhe përbërja e ekipit socialist për zgjedhjet e 11 majit. Bëhet me dije se para mbledhjes së Kryesisë, Rama do të zhvillojë një takim edhe me bordin e diasporës që drejtohet nga ministri Taulant Balla.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në mbledhjet e tij gjatë këtyre tre ditëve me kabinetin e ministrave dhe me Grupin Parlamentar të PS-së, se deputetët qoftë edhe me 1 mandat do të jenë pjesë e listave të hapura. Ndonëse nuk ka asgjë të zyrtarizuar, Rama ka lënë të nënkuptohet se pjesë e listave të mbyllura do të jenë drejtuesit politikë të qarqeve dhe disa emra të rinj. Për veten e tij, kreu i qeverisë ka shprehur se nuk ka marrë ende një vendim, ndërsa ka thënë gjithashtu se mund të mos jetë fare pjesë e listave. 

rama ps

Sondazh

Poll