Bota

Zelensky i kërkon falje Trump për debatin në Zyrën Ovale, Witkoff: Ishte një hap i rëndësishëm dhe ka pasur shumë diskutime...

Witkoff tha se Zelenskyy i kishte dërguar një letër presidentit dhe i ka kërkuar falje për gjithë përplasjen që ndodhi në Zyrën Ovale.

10 Mars 2025, 20:51 Nga E. D
Zelensky i kërkon falje Trump për debatin në Zyrën Ovale,
Volodymyr Zelenskyy dhe Donald Trump

SHBA- Steve Witkoff, i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, ka pohuar se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i kërkoi falje Donald Trump pas përplasjes së tyre të nxehtë në Shtëpinë e Bardhë. Witkoff tha se Zelenskyy i kishte dërguar një letër presidentit dhe i ka kërkuar falje për gjithë përplasjen që ndodhi në Zyrën Ovale.

“Zelenskyy i dërgoi një letër presidentit. Ai kërkoi falje për gjithë atë incident që ndodhi në Zyrën Ovale. Unë mendoj se ishte një hap i rëndësishëm dhe ka pasur shumë diskutime midis ekipeve tona dhe ukrainasve dhe evropianëve që janë gjithashtu të rëndësishëm për këtë diskutim," tha Witkoff, për Fox News të hënën.

Vlen të theksohet se nga ajo që tha Witkoff nuk është e qartë nëse ai nënkupton mesazhin publik të Zelenskyy apo atë privat. Ndërkohë Zelenskyy pak ditë më parë postoi në Twitter pas debatit në Shtëpinë e Bardhë se Ukraina ishte gati të punonte nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump për t'i dhënë fund luftës.

Presidenti ukrainas shkroi gjithashtu se takimi në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt nuk shkoi ashtu siç duhej dhe ofroi të rregullonte gjërat. Trump më pas tha se kishte marrë një letër nga Zelenskyy, në të cilën presidenti ukrainas tha se ishte gati të vinte në tryezën e bisedimeve. 

Ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Oksana Markarova, sqaroi se Trump i ishte referuar postimit të Zelenskyy në Twitter kur ai përmendi një letër në fjalimin e tij drejtuar kombit.

volodymyr zelenskyy

Sondazh

Poll