Aktualitet

Sitet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, 200 punonjës do të trajnohen për menaxhim dhe restaurim

Në sistemin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim u njoftua se kjo është pjesë e projektit që lidhet me infrastrukturën dhe lehtësimin e aksesit në zonat turistike.

10 Mars 2025, 13:28 Nga N.F
Sitet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, 200 punonjës do
Foto ilustruese

TIRANË- Të paktën 200 punonjës të institucioneve publike që kanë në fushën e tyre të aktivitetit turizmin dhe sitet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore do të trajnohen për ruajtjen, restaurimin dhe menaxhimin e tyre. Në sistemin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim u njoftua se kjo është pjesë e projektit që lidhet me infrastrukturën dhe lehtësimin e aksesit në zonat turistike.

“Objektivi i kësaj detyre është të rrisë aftësitë dhe njohuritë e institucioneve publike përkatëse që punojnë në sektorin e turizmit në ruajtjen, restaurimin dhe menaxhimin e vendeve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Ky aktivitet njeh rëndësinë e mbrojtjes dhe ruajtjes së këtyre vendeve për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të tyre. Objektivi për këtë detyrë është trajnimi i 200 punonjësve të institucioneve përkatëse,” thuhet në shpjegimin më të zgjeruar të asaj se çfarë synon kontrata.

Kjo procedurë vjen pas një serie procedurash të tjera të lidhura me lehtësimin e aksesit dhe infrastrukturës në zonën e Bogës në Alpet Shqiptare apo përmirësimin e rrjetit energjetik po në këtë rajon, ku kryesisht rrjeti i shpërndarjes është i amortizuar apo nuk ekziston. Data e mbylljes së procedurës së fundit që lidhet me trajnimin e institucioneve publike të lidhura me turizmin është 15 prilli.

Projekti për lehtësimin e turizmit dhe mundësimit të aksesit në këto zona financohet nga një kredi e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për qeverinë shqiptare, me një shumë prej 60 milionë eurosh dhe bashkëfinancim prej një granti investimesh të Bashkimit Europian prej 46 milionë eurosh./ Monitor

trashegimi kulturore restaurim menaxhim

Sondazh

Poll