Politike

"Mbyllja e TikTok bëhet për arsye politike"/ Arlind Qori: Rrjetet sociale janë problemi i fundit për fëmijët, pasi ka probleme të tjera

Qori i ftuar në studion e News 24 tha se TikTok po mbyllet për arsye politike. Më tej ai u shpreh se Rama do që të kontrollojë kanalet e komunikimit publik, ndërkohë theksoi se mijëra njerëz kërcënohen me bizneset e tyre. 

6 Mars 2025, 17:50 Nga E. D
"Mbyllja e TikTok bëhet për arsye politike"/ Arlind Qori:
Arlind Qori

TIRANË- Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka komentuar vendimin e qeverisë për mbylljen e TikTok për 12 muaj. Qori i ftuar në studion e News 24 tha se TikTok po mbyllet për arsye politike. Më tej ai u shpreh se Rama do që të kontrollojë kanalet e komunikimit publik, ndërkohë theksoi se mijëra njerëz kërcënohen me bizneset e tyre.  Sipas tij TikTok nuk duhej të mbyllej, sepse është një rrjet social, që ka shikueshmëri të lartë dhe se rrjetet sociale janë problemi i fundit për fëmijët, pasi ka probleme të tjera.

Qori më tej shtoi se beson se Lëvizja Bashkë do të arrijë rezultat më të mirë në Tiranë sesa në vitin 2023. Po ashtu ai u shpreh se programi i tyre qeverisës është me 150 faqe dhe brenda marsit programi është gati. Gjithashtu ai tha se do trajtohen çështje kryesore si minimumi jetik, rritja e pagës minimale, rritja e pagës së punëtorëve. 

"Nuk duhej të mbyllej, sepse është një rrjet social, që ka shikueshmëri të lartë. Rrjetet sociale janë problemi i fundit për fëmijët, pasi ka probleme të tjera. Mbyllja e TikTok ka qenë për arsye politike. Rama do që të kontrollojë kanalet e komunikimit publik. Në Facebook, e në Instagram duhet të hedhësh para, ndërsa TikTok është ndryshe, mund të reklamosh pa para. Janë mijëra njerëz që kërcënohen me bizneset e tyre. Sa i përket protestës më 15 mars, ne nuk mund të bashkohemi me Sali Berishës, nuk mund të bashkohemi me të korruptuarit. Do shohim mundësinë e një padie në Gjykatën Kushtetuese. Do shkojmë kudo, për të bërë fushatë. Kemi marrë rreth 14 mijë vota në Tiranë.

Ne duam që të na votojnë edhe skeptikët. Ne jo vetëm kemi të drejtë, por kemi edhe kapacitetet në parti për t’ia dalë. Ne do jemi disa herë më mirë se në vitin 2023 në Tiranë. Ne besimin tonë politik do e përhapim pa droje. Programi ynë qeverisës është me 150 faqe. Brenda marsit do kemi programin gati. Do trajtohen çështje kryesore si minimumi jetik, rritja e pagës minimale, rritja e pagës së punëtorëve, të kemi të drejta, të kemi shtet social. Ne duam rimëkëmbje të arsimit. Anëtarët tanë takojnë qytetarë nga diaspora. Do zhvillojmë takime edhe me anëtarë të diasporë dhe udhëtimi do të kushtojë lirë. Nëse nuk ia dalim në buxhet, do anulojmë takimin e nuk pranojmë donacione nga duar të pista. Përballë parasë e pushtetit, ne sjellim forcën e moralit. Këta e kanë trashur zullumin aq shumë, sa besoj se do këputet më 11 maj. Nuk bëjmë aleancë me parti që nuk luftojnë dot krimin e organizuar dhe oligarkët. Unë do mbaj përgjegjësi edhe për bashkëpunëtorët që kam zgjedhur”, tha Qori.

arlind qori

Sondazh

Poll