Politike

Mbyllja e TikTok/ Zbardhet VKM-ja: Zgjat deri kur kompania të vendosë filtra të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare!

Në vendim bëhet me dije se ndërprerja e aksesit në platformë do të zgjaasë për një afat deri në 12 muaj, me qëllim shmangien e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale.

6 Mars 2025, 16:46 Nga N.F
Mbyllja e TikTok/ Zbardhet VKM-ja: Zgjat deri kur kompania të vendosë
Foto ilustruese

TIRANË- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi ditën e sotme për mbylljen e platformës TikTok në Shqipëri. Në lidhje me mbylljen e TikTok është publikuar vendimi i Këshillit të Ministrave. Në vendim bëhet me dije se ndërprerja e aksesit në platformë do të zgjaasë për një afat deri në 12 muaj, me qëllim shmangien e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale. Më tej theksohet se ndërprerja e “TikTok” zgjat deri në mundësimin nga platforma të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta.

Problematikat e adresuara nga ministria te platforma e TikTok janë operimi efektiv i sistemeve funksionale të verifikimit të moshës së përdoruesve të platformës, sistemi i kontrollit prindëror lidhur me përmbajtjet, që dëmtojnë zhvillimin fizik, psikologjik ose moral të fëmijëve. shmangia e publikimit të materialeve me përmbajtje dhune, bullizmi, gjuhe urrejtjeje apo me fjalor të papërshtatshëm si dhe përshtatja e përdorimin e filtrave të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare. Sipas vendimit pasi “TikTok” të vendosë filtrat e nevojshme mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi.

Vendimi:

MARRJEN E MASAVE TË PËRKOHSHME PËR SHMANGIEN   E NDIKIMEVE NEGATIVE TË PLATFORMËS ON-LINE “TIKTOK”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, 26, pika 1, 139, pika, 2, 174 e 177, pika 5, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 32, pika 4, 32/1, 42 e 46, të ligjit nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të  pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr.18/2017, “Për  të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Arsimit dhe Sportit, të ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndërprerjen e aksesit në platformën on-line “TikTok” në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj, me qëllim shmangien e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale në tërësi, kryesisht në nxitjen e dhunës, veçanërisht te fëmijët, që sjellin probleme të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

2. Ndërprerja e platformës on-line “TikTok” zgjat deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta.

3. Caktimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me autoritetet rregullatore sektoriale e nëpërmjet tyre, si dhe autoritetet e tjera, që përfshihen në këtë proces, për të komunikuar e negociuar me përfaqësuesit e platformës on-line “TikTok”, dhe me përfaqësues të platformave të tjera on-line, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital, duke përfshirë:

a) operimin efektiv të sistemeve funksionale të verifikimit të moshës së përdoruesve të platformës;
b) operimit të sistemeve të kontrollit prindëror lidhur me përmbajtjet, që dëmtojnë zhvillimin fizik, psikologjik ose moral të fëmijëve;
c) shmangien e publikimit të materialeve me përmbajtje dhune, bullizmi, gjuhe urrejtjeje apo me fjalor të papërshtatshëm;
ç) përshtatjen e përdorimin e filtrave të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare.

4. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, të marrë masat e nevojshme për realizimin e ndërprerjes së aksesit të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.

5. Pasi të realizohet nga platforma on-line “TikTok” vendosja e filtrave të nevojshëm, mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi.

6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe autoritetet rregullatore sektoriale për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

mbyllja e tiktok

Sondazh

Poll