Bota

Zyrtarët e lartë të Trump “kërcënojnë” Zelenskyyn: Të ndryshojë qëndrim ose të largohet

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson: Ose të vijë në vete dhe të kthehet në tryezë me mirënjohje, ose dikush tjetër do të udhëheqë vendin

2 Mars 2025, 18:28 Nga A.Ll
Zyrtarët e lartë të Trump “kërcënojnë”
Zelenskyy dhe Trump

SHBA- Zyrtarë të lartë në administratën amerikane të Donald Trump dhe kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, thanë sot se SHBA-ja ka nevojë për një president ukrainas që është i gatshëm të sigurojë një paqe të qëndrueshme me Rusinë, duke thënë se nuk është e qartë që Zelenskyy si president i Ukrainës është gati për këtë.

Vetëm njëzet e katër orë pas përplasjes së ashpër të Zelenskyy-t me Trump dhe zv.Presidentin J.D. Vance në Zyrën Ovale, këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Michael Walz theksoi se Uashingtoni dëshiron të sigurojë një paqe të qëndrueshme midis Moskës dhe Kievit, që përfshin lëshime territoriale në këmbim të garancive të sigurisë të udhëhequra nga evropianët.

I pyetur në "State of the Union" të CNN, nëse Trump dëshiron që Zelenskyy të japë dorëheqjen si president i Ukrainës, këshilltari i sigurisë kombëtare u përgjigj: Ne kemi nevojë për një udhëheqës me të cilin mund të negociojmë, i cili në fund të fundit mund të negociojë me rusët dhe t'i japë fund kësaj lufte.

“Nëse bëhet e qartë se motivimet personale ose politike të Presidentit Zelenskyy ndryshojnë nga përfundimi i luftimeve në vendin e tij, atëherë mendoj se ne kemi një problem real”, shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, ai mohoi çdo aludim për një "kurth" të ngritur kundër presidentit ukrainas në Zyrën Ovale dhe përsëriti se përfundimi i luftës do të kërkojë të ashtuquajturat "koncesione territoriale" nga Ukraina.

Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson sugjeroi se një lider tjetër mund të jetë i nevojshëm për Ukrainën, nëse Zelensky nuk përmbush kërkesat e SHBA.

“Diçka duhet të ndryshojë, ose duhet të vijë në vete dhe të kthehet në tryezë me mirënjohje, ose dikush tjetër duhet të udhëheqë vendin për ta bërë këtë," - tha kryetari i Dhomës Republikane në "Meet the Press" të NBC.

Si rezultat i konfrontimit të së premtes në Zyrën Ovale, një marrëveshje midis Kievit dhe Uashingtonit për aksesin amerikan në mineralet e Ukrainës nuk u nënshkrua, dhe negociatat për këtë marrëveshje u ngrinë.

“Nuk ishte e qartë për ne që Presidenti Zelenskyy ishte i përgatitur për të negociuar me mirëbesim për t'i dhënë fund kësaj lufte”, u shpreh Waltz.

Në emisionin "This Week" të televizionit ABC, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio tha se nuk ka folur me Zelensky që nga e premtja.

“Ne do të jemi gati për kontakte të reja kur ata të jenë gati për të bërë paqe”, theksoi Sekretari amerikan i Shtetit.

volodymyr zelensky donald trump marco rubio

Sondazh

Poll