Aktualitet

“Metamorfoza”/ Shtyhet seanca për Pëllumb Gjokën dhe të tjerët, shkak, mungesa e avokatëve të Bajrit, GJKKO i gjobit

Gjykata e Posaçme gjobiti avokatët me 5 mijë lekë të reja për shkak të mungesës pa arsye, pasi ata kanë patur dijeni për seancën e sotme.

27 Shkurt 2025, 15:41 Nga M.B

 

“Metamorfoza”/ Shtyhet seanca për Pëllumb Gjokën dhe
Pëllumb Gjoka

TIRANA- Seanca për dosjen “Metamorfoza”, për Pëllumb Gjokën dhe të dyshuarit e tjerë është shtyrë për t'u mbajtur në datë 11 mars, ora 14:00. Sipas informacioneve, shkak u bë mungesa e dy avokatëve të Behar Bajrit. Gjykata e Posaçme gjobiti avokatët me 5 mijë lekë të reja për shkak të mungesës pa arsye, pasi ata kanë patur dijeni për seancën e sotme.

Pëllumb Gjoka, u arrestua në korrik 2023 si anëtar i dyshuar i një organizate kriminale që kishte kryer ndër të tjera vrasje dhe pengmarrje. Ai është pronar i kompanisë “Imperial Group”, me aktivitet në fushën e investimeve në turizëm dhe në lojërat e fatit krahas bizneseve të tjera.

Në vitin 2021, qeveria shqiptare i dha kësaj kompanie statusin e investitorit strategjik për projektin Silver Sand Resort, një projekt masiv që duhet të shtrihet në një sipërfaqe prej 113 mijë metra katrorë për ndërtimin e pallateve, vilave dhe hoteleve. Sipas dokumenteve të publikuara, vlera e planifikuar e investimit ishte 52 milionë euro, nga të cilat, një pjesë do të financohej nga shitja gjatë ndërtimit të apartamenteve dhe vilave.

Hetimi ndaj Gjokës filloi pas mbërritjes së një dosjeje nga Franca. Ndaj tij dhe anëtarëve të tjerë të grupit ka nëntë lloj akuzash për vepra penale, mes të cilave vrasje, korrupsion aktiv e pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të struktuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar si pjesë e organizatës akuzohen për korrupsion, zbulim të akteve apo të dhënave sekrete, si dhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje.

metamorfoza

Sondazh

Poll