Politike

Osmani uron fituesit e zgjedhjeve në Gjermani: Mezi pres t’i thellojmë lidhjet tona të ngushta në vitet në vazhdim

Aleanca CDU/CSU i fitoi zgjedhjet me 28.5 për qind të votave. Udhëheqësi i saj, Merz, pritet të nisë tani bisedimet për të zgjedhur partnerin e koalicionit. Ai e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, e cila doli e dyta në zgjedhje.

24 Shkurt 2025, 11:32 Nga M.B
Osmani uron fituesit e zgjedhjeve në Gjermani: Mezi pres t’i
Vjosa Osmani

KOSOVA- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi udhëheqësin e CDU-së në Gjermani, Friedrich Merz, dhe atë të CSU-së, Markus Soeder, për fitoren në zgjedhjet federale të 23 shkurtit.

“Vendet tona ndajnë një histori të gjatë të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe mezi pres t’i thellojmë lidhjet tona të ngushta në vitet në vazhdim”, shkroi Osmani në platformën X.

Aleanca CDU/CSU i fitoi zgjedhjet me 28.5 për qind të votave. Udhëheqësi i saj, Merz, pritet të nisë tani bisedimet për të zgjedhur partnerin e koalicionit. Ai e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, e cila doli e dyta në zgjedhje.

Tre vjet më parë, Merz është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih Temë e atij takimi ishin integrimet evropiane dhe Ballkani Perëndimor, sipas një njoftimi të atëhershëm të Kryeministrisë së Kosovës.

Gjermania është ndër mbështetëset kryesore të Kosovës në Bashkimin Evropian. Me mbi 260 ushtarë aktualisht, ajo është pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, që nga përfundimi i luftës më 1999. Gjermania, po ashtu, është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Në këtë vend jeton edhe pjesa më e madhe e diasporës së Kosovës./ REL

vjosa osmani

Sondazh

Poll