Aktualitet

Përfundmi i mandateve të dy anëtarëve dhe zëvëndësimi i tyre, Zaçaj: Vura në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për të evituar përfshirjen e saj në ndonjë mosmarrëveshje mes organeve të pushteteve

Ajo tha se bazuar në parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe atë të luajalitetit kushtetues Gjykata theksoi se hapja e procedurës për plotësimin e një vendi vakant duhet të fillojë vetëm pasi ajo të ketë deklaruar mbarimin e mandatit të gjyqtarit dhe vetëm pasi Kryetari i saj të ketë njoftuar organin e emërtesës.

24 Shkurt 2025, 11:17 Nga N.F
Përfundmi i mandateve të dy anëtarëve dhe
Holta Zaçaj

TIRANË- Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka mbajtur një konferencë për mediat ku ajo prezantoi raportin vjetor të këtij institucioni. Zaçaj u pyet nga gazetarët përdorëheqjen e gjyqtares Elsa Toska dhe se si dy institucione si Gjykata e Lartë dhe Presidenca kanë marrë vendime të njëanshme për përfundimin e mandateve të dy anëtarëve dhe zëvendësimin e tyre me të rinj. 

Në përgjigjen e saj Zaçaj u shpreh se si kryetare e kësaj Gjykate është përpjekur përgjatë këtij mandati që  t’i mëshojë pavarësisë dhe integritetit të kësaj Gjykate. Ajo theksoi se Gjykata Kushtetuese lufton që të mbrojë parimet kushtetuese dhe të drejtat e njeriut. Ajo shtoi se nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë  që Gjykata të përfshihet qoftë edhe qëllimisht në ndonjë mosmarrëveshje apo retorikë që nuk i përket asaj.

Zaçaj për sjelljen e ndryshme të organeve të emërtesës, vuri në dukje vendimin për deklarimin e mandatit të saj si gjyqtare kushtetuese. Ajo tha se Gjykata vuri në diskutim edhe mënyrën se si ka vepruar kryetari i Gjykatës së Lartë në këtë procedurë. Ajo tha se bazuar në parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe atë të luajalitetit kushtetues Gjykata theksoi se hapja e procedurës për plotësimin e një vendi vakant duhet të fillojë vetëm pasi ajo të ketë deklaruar mbarimin e mandatit të gjyqtarit dhe vetëm pasi Kryetari i saj të ketë njoftuar organin e emërtesës.

Kryetarja tha se në çdo rast kur një organ i emërtesës vlerëson se Gjykata nuk e ka ushtruar kompetencën e saj brenda afatit ligjor, ai duhet t`i drejtohet asaj duke i kërkuar me shkrim ushtrimin e kësaj kompetence dhe duke parashtruar argumentet në drejtim të fakteve dhe dispozitave kushtetuese ku mbështet qëndrimin e tij. Sipas saj mënyra se si ka vepruar Presidenti në rastin konkret është mënyra e duhur, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të shqyrtojë këtë çështje dhe do të vlerësojë të gjitha çështjet e parashtruara nga organi i emërtesës.

Fjala e Zaçajt:

Në vijim të përgjigjes së parë, dua të theksoj, fillimisht se unë zbatoj dhe respektoj çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, sikundër nuk komentoj asnjë vendimmarrje të saj, pavarësisht nëse kam qenë apo jo palë e vendimmarrjes apo qoftë kur kam mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga ai i shumicës. Megjithatë, duke pasur parasysh se çështja në të cilën u përfshi Gjykata e Lartë i përket kohëzgjatjes së qëndrimit tim në detyrë si gjyqtare kushtetuese, unë kisha jo vetëm cilësinë e subjektit që vë në lëvizje Gjykatën, por isha edhe pala e prekur drejtpërdrejt, ndaj dua të jap disa konsiderata që vlerësoj se janë të rëndësishme.


Së pari, si subjekti që inicion këtë lloj gjykimi, pavarësisht qasjes sime të deklaruar edhe publikisht në atë kohë lidhur me fillimin dhe mbarimin e mandatit dhe pavarësisht se vlerësova të përshtatshëm marrjen e një opinioni nga Komisioni i Venecias, si një organ këshillimor i pavarur dhe me ekspertizë në çështjet kushtetuese, unë e vura në lëvizje Gjykatën për të shmangur një konflikt kushtetues dhe për të evituar përfshirjen e saj në ndonjë mosmarrëveshje mes organeve të pushteteve, në kushtet kur Gjykata e Lartë shpalli vakancën pa pritur Gjykatën Kushtetuese të shprehej për mbarimin e mandatit.


Si Kryetare e kësaj Gjykate jam përpjekur përgjatë këtij mandati që të theksoj dhe t’i mëshoj pavarësisë dhe integritetit të kësaj Gjykate, që lufton dhe përpiqet fort, çdo e ditë e më shumë, të mbrojë dhe garantojë parimet kushtetuese dhe të drejtat e njeriut, çka është edhe vizioni im dhe ajo çka besoj më së forti. Theksoj se nuk kam lejuar dhe nuk do të lejoja asnjëherë që Gjykata të përfshihej qoftë edhe qëllimisht në ndonjë mosmarrëveshje apo retorikë që nuk i përket asaj.
Së dyti, si palë në proces, unë i parashtrova trupës disa kërkesa paraprake, përfshirë atë për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias, ashtu edhe kërkimet në lidhje edhe aktet e miratuara nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, të cilat u shqyrtuan prej saj dhe u arsyetuan në vendim. Ritheksoj se ky vendim është detyrues për zbatim, ndaj nuk ka asnjë vend për të komentuar mbi atë vendimmarrje.


Për sa i përket pyetjes suaj për sjelljen e ndryshme të organeve të emërtesës, ju vë në dukje se në vendimin për deklarimin e mandatit tim si gjyqtare kushtetuese (vendimi nr. 84, datë 23.12.2024), Gjykata vuri në diskutim edhe mënyrën se si ka vepruar kryetari i Gjykatës së Lartë në këtë procedurë. Bazuar në parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe atë të luajalitetit kushtetues, që është shprehje e respektit të ndërsjellë të secilit organ ndaj kompetencave të tjetrit dhe përfshin edhe detyrimin për sjellje koherente dhe jokontradiktore, ashtu edhe bashkëpunimin mes palëve mbi baza mirëbesimi dhe korrektese, Gjykata theksoi: i) hapja e procedurës për plotësimin e një vendi vakant duhet të fillojë vetëm pasi ajo të ketë deklaruar mbarimin e mandatit të gjyqtarit dhe vetëm pasi Kryetari i saj të ketë njoftuar organin e emërtesës; ii) në çdo rast kur një organ i emërtesës vlerëson se Gjykata nuk e ka ushtruar kompetencën e saj brenda afatit ligjor, ai duhet t`i drejtohet asaj duke i kërkuar me shkrim ushtrimin e kësaj kompetence dhe duke parashtruar argumentet në drejtim të fakteve dhe dispozitave kushtetuese ku mbështet qëndrimin e tij; (paragrafi 19 i vendimit të Gjykatës).


Duket se mënyra se si ka vepruar Presidenti në rastin konkret është mënyra e duhur, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të shqyrtojë këtë çështje dhe do të vlerësojë të gjitha çështjet e parashtruara nga organi i emërtesës, në përputhje me parimet kushtetuese, si edhe vetë jurisprudencën kushtetuese. Aktualisht çështja është regjistruar si e tillë dhe është në pritje të shqyrtimit paraprak të saj.

 

zacaj

Sondazh

Poll