Aktualitet

Akuzohet se pastronte paratë e organizatës së vëllezërve Çopja, GJKKO lë në burg Petrit Lakatos

Gjatë kontrollit të kryer ndaj Lakatos, janë gjetur dhe sekuestruar 2,940 euro, 203,000 lekë të rinj, një orë luksoze markë "Rolex", një varëse floriri me tre diamante, si dhe katër telefona celularë.

21 Shkurt 2025, 20:29 Nga Dosja
Akuzohet se pastronte paratë e organizatës së
GJKKO

TIRANË Gjykata e Posaçme ka caktuar këtë të premte masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Petrit Lakatos, administratorin e biznesit të vëllezërve Çopja në Elbasan. Ai ndalua pak ditë më parë si pjesë e grupit të vëllezërve Hajdar e Franc Çopja. 

Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjatë hetimeve ishte sekuestruar kompania "Solis Farm", e cila është një pikë agroturizmi e vendosur në Mumajes të Baldushkut, Tiranë, godinën dhe sipërfaqen e tokës në të cilën ky operator ekonomik ushtron aktivitetin.

Gjatë kontrollit të kryer ndaj Lakatos, janë gjetur dhe sekuestruar 2,940 euro, 203,000 lekë të rinj, një orë luksoze markë "Rolex", një varëse floriri me tre diamante, si dhe katër telefona celularë.

Vetëm një muaj më parë, SPAK kishte sekuestruar 10 milionë dollarë në kripto për krerët e organizatës, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në trafikimin e kokainës dhe përdornin monedha virtuale për transaksionet.

Petrit Lakatos është akuzuar për "pastrimin e produkteve të veprës penale", "organizata kriminale" dhe "kryerjen e veprave penale nga një grup i strukturuar kriminal". Vendimi për sekuestrimin e pasurive u firmos më 18 shkurt 2025, ditë kur Lakatos u arrestua gjithashtu.

petrit lakatos

Sondazh

Poll