Politike

Zgjedhjet e 11 Majit/ Rama e quajti survejimin lajthitje. SPAK publikon strategjinë: Monitorim gjithë territorit, edhe diasporës!

Në njoftimin e SPAK tregohen pikat kryesore të kësaj strategjie, për të cilën janë zhvilluar takime edhe në KQZ me kreun e saj, Ilirjan Celibashi, për bashkëpunim në hetime dhe goditje të fenomenit.

20 Shkurt 2025, 16:26 Nga E. D
Zgjedhjet e 11 Majit/ Rama e quajti survejimin lajthitje. SPAK publikon
foto ilustruese

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka publikuar strategjinë e hetimit dhe parandalimit të krimit zgjedhor në zgjedhjet e 11 majit, disa orë pasi kryeministri Edi Rama, tha që të mos survejoheshin partitë politike.

Në njoftimin e SPAK tregohen pikat kryesore të kësaj strategjie, për të cilën janë zhvilluar takime edhe në KQZ me kreun e saj, Ilirjan Celibashi, për bashkëpunim në hetime dhe goditje të fenomenit. Në këto pika përfshihen edhe verifikimi i çdo indicieje apo fakti për kryerjen e krimeve zgjedhore, verifikimi i raportimeve që ngrenë dyshime të arsyeshme për keqpërdorim të buxhetit dhe investimeve publike, monitorim i mediave dhe rrjeteve sociale.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme publikon “Strategjinë e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor: Zgjedhjet për Kuvendin 2025”, e cila mbështetet në:Verifikimin në terren të indicieve apo fakteve rreth kryerjes së veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025, nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme. Verifikimin e raportimeve që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi keqpërdorimin e buxhetit dhe investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore prej subjekteve të posaçme. Monitorimin e mediave dhe rrjeteve sociale për indicie të mundshme në kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve. Bashkëpunimin ndërinstitucional me Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Policinë e Shtetit, organizmat ndërkombëtare, organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore, etj.

Rama tha gjatë ditës së sotme se nuk mund të survejohen partitë politike në një proces elektoral, ndërsa uronte që kjo të ishte "lajthitje e momentit". Sipas tij të survejosh ato që merren me politike e kthen vendin në kohëra të errëta. 

"Nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo do të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që ne të kthehemi në kohëra kaq të errëta saqë kush merret me politikë të survejohet. Përpjekja e përbashkët për të luftuar dhe për krimet elektorale bëhet secili në pozicionin e vet kushtetues dhe në llogoren e vet. Dalja nga këto pozicione është ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptareve dhe të përfaqësuesve të tyre”, tha Rama.

spak zgjedhjet e 11 majit

Sondazh

Poll