Aktualitet

"Duam drejtësi"/ Vdekja e Leo Sadikut në QSUT, familjarët e 12-vjeçarit protestë para Ministrisë së Shëndetësisë

12-vjeçari, Leo Sadiku ndërroi jetë më 8 janar të këtij viti në Pediatrinë e QSUT-së.

18 Shkurt 2025, 17:18 Nga B.Z
"Duam drejtësi"/ Vdekja e Leo Sadikut në QSUT,
Nëna e Leo Sadikut

TIRANË - Familjarët e 12-vjeçarit Leo Sadiku i cili ndërroi jetë në spitalin e QSUT-së, kanë dalë në protestë pasditen e kësaj të marte para Ministrisë së Shëndetësisë. Ata akuzojnë mjekët e spitalit për neglizhencë, dhe kanë kërkuar drejtësi për vdekjen e të miturit, duke kërkuar që të zbardhet ngjarja.

Motra e të miturit ka deklaruar se nuk është bërë asnjë ekzaminim ndaj 12-vjeçarit dhe se nuk është marrë ende asnjë masë për vdekjen e vëllait të saj. Ajo ka kërkuar që instancat përkatëse të zbardhin ngjarjen dhe përgjegjësit të vendosen para drejtësisë.

12-vjeçari, Leo Sadiku ndërroi jetë më 8 janar të këtij viti në Pediatrinë e QSUT-së. Ai fillimisht ishte shtruar në spitalin e Korçës me shenja të gripit më 28 dhjetor 2024 dhe la spitalin natën e Vitit të Ri. Gjendja e tij u përkeqësua dhe u rikthye në spital më 7 janar, me tension të lartë, glicemi të lartë, të vjella dhe temperaturë.

Mjekët e Korçës e dërguan në Pediatrinë e QSUT-së ku dhe ndërroi jetë. QSUT tha se shkak i vdekjes ishte miokarditi akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë vdekshmërie, ndërsa vetë familjarët e të miturit kanë ngritur akuza drejt mjekëve për neglizhencë.

Sondazh

Poll