Politike

GJKKO e la në burg, Veliaj nga Durrësi: Në sallë dje zbulova skandal të rëndë

Me anë të një postimi Veliaj, thekson se dosja e tij është një paçavure dhe një skandal i rëndë. 

13 Shkurt 2025, 16:08 Nga I.A
GJKKO e la në burg, Veliaj nga Durrësi: Në sallë dje zbulova
Erion Veliaj

DURRËS- Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës Erion Veliaj ka komentuar 'lapsusin' e bërë me dosjen e tij, ku cilësohej si i dënuar më parë. Me anë të një postimi Veliaj, thekson se dosja e tij është një paçavure dhe një skandal i rëndë. 

Po ashtu Veliaj, ka sulmuar prokurorin Olsi Dado, duke e konsideruar gabim të rëndë të bërë në dosjen hetimore, lapsusin për dënimin e tij. Më tej Veliaj shprehet se kur mësoi këtë detaj, është tronditur, pasi dëshmia e tij e penalitetit është e pastër.

Postimi i Plotë:

Kurdisja e një paçavureje 1 Nuk mund të rri pa folur edhe për një skandal të rëndë që zbulova dje në sallën e gjyqit, e shkruajtur e zezë mbi të bardhë, që në faqen e parë të paçavures së hartuar me zell të madh nga prokurori Ols Dado. U informova se në të gjitha gjirizet mediatike të PD-së na ishte publikuar se në dosjen time prokurori kishte shkruajtur: “Erion Veliaj është “i dënuar”, me shënimin “sipas Çertifikatës Elektronike të gjendjes gjyqësore Nr. 5488 Prot., datë 23.01.2025 të gjeneruar nga hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve, e cila gjendet në fashikullin 63”.”

Kur e mësova, ky detaj më tronditi edhe mua personalisht, ashtu siç mund të ketë tronditur jo pak njerez të tjerë sepse dëshmia ime e penalitetit është e pastër. Dje në sallën e gjyqit, vetëm pasi unë deklarova që jam i padënuar dhe, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur me votë 3 herë radhazi nga qytetarët e mi, kam plotësuar formularin e dekriminalizimit, prokurori Ols Dado u detyrua ta verifikonte këtë me një telefonatë, (pasi siç duket, në mendjen e tij tashmë rezultoj një person i dënuar), dhe u përpoq ta kalonte këtë skandal, duke thënë se është thjesht një ‘lapsus’, që e paskan bërë shkruesit e dosjes time.

Pra, që në faqen e parë të akuzës të ngritur kundër meje na qenka bërë gabimisht një lapsus frojdjan kaq i rëndë, e njëkohësisht kaq qesharak, nga prokurori hartues i dosjes. Po si mundet të bëhet një lapsus në një dosje hetimore? Si mund të luhet me jetë njerëzish duke e kaluar me fjalët “ishte lapsus”? Ky ‘lapsus’, vetëm lapsus nuk është! Është një hije e madhe dyshimi mbi të gjithë atë që është gatuar kundër meje dhe bashkëshortes sime.

Tani është i qartë serioziteti me të cilin janë zhvilluar hetimet kundër familjes dhe personit tim: më e pakta, në dosjen time ka gabime trashanike, si kjo e faqes së parë, e të cilat do t’i publikoj një e nga një për publikun dhe qytetarët e Tiranës; por, rezervoj edhe dyshimet e mia mbi dëshirën e nxituar të prokurorit Ols Dado për të më shpallur fajtor ende pa nisur procesi i gjykimit.

Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. 

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga peronat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të  kundërligjshme.

erion veliaj arrestohet erion veliaj

Sondazh

Poll