Politike

KLGJ i tregon derën Ramës: Ankohuni te Gjykata e Apelit, stop me aludimet në media

Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson se pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

12 Shkurt 2025, 14:34 Nga N.F
KLGJ i tregon derën Ramës: Ankohuni te Gjykata e Apelit, stop me
Rama dhe KLGJ

TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar ditën e sotme në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama për gjyqtarin Erjon Bani në mbledhjen e Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste. KLGJ në reagim thekson se ka ndjekur me vëmendje deklaratat e fundit të Ramës të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson se mënyra e vetme e kundërshtimit të një vendimi gjyqësor është përmes ankimit në një gjykatë më të lartë. Më tej në reagim shton se pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. 

KLGJ shtin se gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo lloj forme që ndërhyn në vendimmarrje, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Në reagim theksohet se KLGJ mban qëndrim se çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë të demokracisë dhe sundimit të ligjit. 

"Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me deklaratat e bëra nga persona të veshur me pushtet, ekzekutiv apo politik si edhe media të caktuara, të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar. KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Këshilli në përmbushje të angazhimeve të tij ligjore, ju bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cenojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit. Në një shtet të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo lloj forme që ndërhyn në vendimmarrje, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Këshilli thekson se në një shtet që është duke përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, mënyra e vetme e kundërshtimit të një vendimmarrjeje gjyqësore duhet të jetë përmes ushtrimit të mjeteve ligjore, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë," thuhet në reagim.

Rama ka sulmuar sot drejtëpërdrejtë gjykatësin që ka firmosur arrestimin e Erion Veliajt. Rama gjatë fjalës së tij, e ka quajtur gjyqtarin Erjon Bani si një ekstremist i PD-së dhe se për këtë arsye ishte zgjedhur nga prokurorët se ka firmosur me target vendimet për socialistët. 

Duke iu referuar gjykatësit, pa i përmendur emrin, Rama e fajësoi atë për nxjerrjen e dosjes Toyota Yaris, përgjime të cilat po i nxjerr në publik kryedemokrati Sali Berisha. Rama theksoi se ky gjykatës ka qenë shok në zyrë me një nga deputetët e PD-së gjatë kohës kur ministër i drejtësisë ka qenë Eduart Halimi.

klgj rama

Sondazh

Poll