Politike

Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet/ Mediat ndërkombëtare: Partia e Kurtit nuk arriti një shumicë, mbetet e paqartë përbërja e qeverisë së re

Rezultatet aktuale mund të pësojnë ndryshime për cilindo subjekt garues, pasi të bëhet edhe numërimi i votave nga jashtë Kosovës dhe të atyre me kusht.

10 Shkurt 2025, 10:50 Nga r.ll
Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet/ Mediat ndërkombëtare:
albin kurti

KOSOVË- Lëvizja Vetëvendosje nga rezultat e deritanishme të publikuara nga KQZ kryeson me 41% të votave. Por pavarësisht këtij rezultati mbetet ende e paqartë përbërja e re e Kuvendit apo ajo e qeverisë së Albin Kurtit. Sipas ekspertëve rezultatet aktuale mund të pësojnë ndryshime për cilindo subjekt garues, pasi të bëhet edhe numërimi i votave nga jashtë Kosovës dhe të atyre me kusht.

Mbrëmjen e djeshme, Kurti shpalli fitoren e Vetëvendosjes dhe para mbështetësve të tij në sheshin “Zahir Pajaziti” u zotua për një qeveri të pa kompromis ndaj korrupsionit dhe për të realizuar një sistem të drejtpërdrejtë të drejtësisë, duke përfshirë një veting të plotë të sistemit të drejtësisë dhe krijimin e një strukture speciale për konfiskimin e pasurive të pajustifikueshme.

Ndërkohë mediat ndërkombëtare të cilat kanë raportuar edhe mbi procesin zgjedhor ditën e djeshme, pas publikimit të rezultateve paraprake kanë ngritur dyshime lidhur me një qeveri Kurti 3.

Politico” në artikullin me titull “Kryeministri i Kosovës Albin Kurti fiton zgjedhjet mes tensioneve me Brukselin dhe Uashingtonin”, shkruan se partia qeverisëse e Kurtit nuk arriti të ketë një shumicë dhe do të duhet të gjejë një partner koalicioni nëse shpreson të vazhdojë në pushtet.

“Partia qeverisëse majtiste-populiste Vetëvendosje (VVL) e kryeministrit Albin Kurti fitoi zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës të dielën, sipas rezultateve preliminare, duke e vendosur vendin në rrugën e ripërtëritjes së konfrontimit me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për trajtimin e pakicës së saj serbe.

Me 88 për qind të votave të numëruara, VVL fitoi 41.3 për qind, me Partinë e djathtë Demokratike të Kosovës (PDK) që përfundoi e dyta me 21.8 për qind, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e qendrës së djathtë (LDK) me 18.1 për qind dhe koalicioni majtist-nacionalist AAK-Nisma me 7.6 për qind.

Siç është, pjesa e votave do të thotë se VVL-ja do të duhet të gjejë një partner koalicioni – gjë që mund të jetë një sfidë, duke pasur parasysh nacionalizmin pro-shqiptar të Kurtit dhe nevojën për kompromis për të thyer izolimin ndërkombëtar të Kosovës.”, thuhet ndër të tjera në artikull.

Njëjtë është shprehur BBC në artikullin me titull “Partia e kryeministrit të Kosovës kryeson por pa shumicë - rezultate të pjesshme”. Media britanike shprehet se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të së dielës, edhe pse rezultatet e pjesshme sugjerojnë se ai nuk ka një shumicë.

Associated Press, shkruan gjithashtu se rezultatet paraprake treguan se partia e Kurtit fitoi zgjedhjet parlamentare të Kosovës të dielën, por pa shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, pasi bisedimet për normalizimin e lidhjeve me rivalin Serbinë mbeten të bllokuara dhe financimi i huaj për një nga vendet më të varfra të Evropës është në pikëpyetje.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit për përbërjen e re parlamentare garuan 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Të drejtën për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë kishin 1 milion e 970 e 944 persona, prej të cilëve kanë marrë pjesë rreth 40 për qind. Pjesëmarrja në votim shënoi rënie në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, kur votuan mbi 48 për qind e personave me të drejtë vote. Për herë të parë kanë votuar 125 mijë votues të rinj.

 

 

 

 

albin kurti zgjedhjet ne kosove

Sondazh

Poll