Politike

"Bujqësia sektori më i ekspozuar ndaj risqeve"/ Rama: Paketa e Maleve do të sjellë kërkesë të rritur për agroturizmin! Jep garanci për lehtësim nga barra fiskale për 1 vit

Rama tha se Paketa e Maleve u mundëson atyre që duan të investojnë në Shqipërinë rurale dhe kanë probleme me titujt e pronësisë, të kalojnë përmes një procesi shumë të thjeshtë, për të fituar titullin e pronësisë përmes investimeve. 

6 Shkurt 2025, 11:50 Nga B.Z
"Bujqësia sektori më i ekspozuar ndaj risqeve"/ Rama: Paketa
Edi Rama

TIRANË - Kryeministri Edi Rama është shprehur se sektori i bujqësisë është më i ekspozuari ndaj risqeve. Gjatë fjalës së tij në tryezën e diskutimit të organizuar nga Banka e Shqipërisë mbi financimin në bujqësi, Rama është shprehur se për qeverinë sipas tij është pritoritet edhe investimi në agropërpunim. 

"Flasim për një sektor që është shumë i ekspozuar ndaj risqeve, që kanë të bëjnë me befasitë e natyrës klimatike, përveç të tjerave. Është kthyer në një karakteristikë, rënia e volumeve të reshjeve të përqendruar në një kohë shumë të shkurtër dhe të barabarta me reshjet që shtriheshin në 4 muaj. E bën shumë problematik këtë raport, mes garancisë së një investimi dhe riskut.  Investimet në serra për ne janë një prioritet. Është rritur në mënyrë të ndjeshme masa e territorit të mbuluar nga serrat, por potenciali, nevoja dhe kërkesa është shumë më tepër. Po ashtu, është prioritare për ne, investimi në agropërpunim. Kemi nevojë për përpunimin e produkteve në vend dhe për të rritur volumin në zinxhirin e vlerës së krijuar brenda vendit",- u shpreh Rama.

Kryeministri u ndal edhe tek Paketa e Maleve, ku u shpreh se kjo paketë do të sjellë kërkesë të rritur për agroturizëm. Rama tha se kjo paketë u mundëson atyre që duan të investojnë në Shqipërinë rurale dhe kanë probleme me titujt e pronësisë, të kalojnë përmes një procesi shumë të thjeshtë, për të fituar titullin e pronësisë përmes investimeve. Rama shton se Paketa e Maleve jep garanci të plotë për lehtësim nga barra fiskale për 1 vit 

"Agroturizimi është një tjetër prioritet. Do t’u përcjellim edhe ju sapo të miratohet në Kuvend paketa e maleve, që krijon lehtësi të re në raport me kolateralet, duke u mundësuar atyre që duan të investojnë në Shqipërinë rurale dhe kanë probleme me titujt e pronësisë, do të kalojnë përmes një procesi shumë të thjeshtë, për të fituar titullin e pronësisë përmes investimeve. Kam besim se paketa e maleve do të sjellë kërkesë të rritur për agroturizmin sepse gjithmonë e më shumë ka interes nga shqiptarët që jetojnë jashtë, për të investuar në tokat e prejardhjes së tyre. Paketa jep garanci të plotë për lehtësim 100% nga barra fiskale për një vit. Kjo vlen për 500 të parët, pastaj të tjerët do u nënshtrohen të gjitha rregullave si të gjithë",- u shpreh Rama.

Sondazh

Poll