Bota

"Është një organizatë kriminale"/ Musk akuza të forta ndaj USAid: Financoi kërkime për armët biologjike, përfshirë Covid-19 që vrau miliona njerëz

Musk ka vazhduar akuzat ndaj USAID, edhe lidhur me luftën në Ukrainë, ku ngre pretendime se USAID është përgjegjëse për mungesën e 58% të parave të ndihmave amerikane që nuk shkuan asnjëherë në ndihmë të Ukrainës.

3 Shkurt 2025, 07:13 Nga B.Z
"Është një organizatë kriminale"/ Musk akuza
Elon Musk

SHBA - Miliarderi amerikan, Elon Musk, ka vazhduar akuzat ndaj organizatave amerikane që ndajnë programe dhe grante në shtetet e huaja. Musk, i cili u emërua nga Presidenti i SHBA Donald Trump për të udhëhequr Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), e ka konsideruar Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar, e njohur si (USAID) një "organizatë kriminale", pasi zyrtarët e sigurisë thuhet se u mohuan anëtarëve të grupit të tij të punës për uljen e kostove aksesin në zonat e kufizuara të agjencisë. 

"USAID është një organizatë kriminale," shkroi Musk, pronari miliarder i Tesla dhe SpaceX, i cili është bërë mbështetësi më i fuqishëm i presidentit, në platformën e tij X, duke iu përgjigjur një videoje që pretendonte përfshirjen e USAID në "punën mashtruese të CIA-s" dhe "censurën e internetit". 

Në një tjetër postim në rrjetin social "X", Musk i dyfishoi akuzat e tij ndaj USAID, dhe pa dhënë dëshmi, shkruan për 215 milionë ndjekësit e tij: "A e dini se USAID, duke përdorur dollarët TUAJ tatimorë, financoi kërkime për armët biologjike, përfshirë Covid-19, që vrau miliona njerëz?"

"USAID" është e ligë",- shkruan Musk në një tjetër postim, teksa ka ndarë një video ku ngrihen pretendime se USAID ka financuar kërkimin për Coronavirus në Wuhan Kinë.

Ai nuk dha hollësi mbi akuzat, të cilat zyrtarët në administratën e mëparshme i lidhën me një fushatë dezinformimi ruse. Megjithatë Musk ka vazhduar akuzat ndaj USAID, edhe lidhur me luftën në Ukrainë, ku ngre pretendime se USAID është përgjegjëse për mungesën e 58% të parave të ndihmave amerikane që nuk shkuan asnjëherë në ndihmë të Ukrainës.

Më tej Musk ka ndarë me ndjekësit disa postime mbi veprimtarinë e USAID, teksa ngre pikëpyetje: "Pse USAID po financonte prodhimin e heroinës në Afganistan?" dhe "Pse USAID-i pagoi 20 milionë dollarë për gazetarët e shtypur për të gërmuar papastërti mbi politikanin amerikan Rudy Giuliani dhe për ta përdorur si bazë për të fajësuar Presidentin në detyrë të SHBA në 2019? 

Sakaq lidhur me gjithë situatën ka reaguar edhe presidenti Donald Trump.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar është "drejtuar nga një grup i çmendurish radikalë dhe ne po i nxjerrim jashtë... dhe më pas do të marrim një vendim (për të ardhmen e saj)", tha Trump të dielën pa dhënë detaje.

Ai nënvizoi mbështetjen e tij për Musk, duke u thënë gazetarëve të dielën mbrëma se ai ndjente se miliarderi "po bënte një punë të mirë" edhe nëse ata nuk ishin dakord për çdo pikë.

"Ai është një shkurtues i madh i kostove. Ndonjëherë ne nuk do të pajtohemi me të ose nuk do të shkojmë ku të dojë ai... ai është një djalë i zgjuar. Shumë i zgjuar. Dhe ai është shumë në shkurtimin e buxhetit të qeverisë sonë federale ”, tha Trump.

Akuzat e Musk ndaj USAID, vijnë pasi zyrtarë të lartë të kësaj agjensie u përpoqën fizikisht të ndalonin DOGE (ekipi i Elon Musk) nga hyrja në sistemet e Agjencisë. Dy zyrtarë të USAID, John Voorhees dhe zëvendësi i tij u pezulluan nga detyra të shtunën vonë në mbrëmje, pasi refuzuan t’u lejonin anëtarëve të DOGE hyrjen në sistemet e USAID. Anëtarët e DOGE kërcënuan se do të thërrisnin policinë pasi u refuzua hyrja. Ata po përpiqeshin të kishin akses në dosjet e sigurisë dhe personelit.

Zyrtarët federalë janë të shqetësuar se Trump po përpiqet të përfshijë USAID brenda Departamentit të Shtetit të SHBA-së, si pjesë e një përpjekjeje për të luftuar korrupsionin dhe fryrjen e qeverisë.

USAID ka rreth 10,000 punonjës, pa përfshirë kontraktorët, me 2/3 e tyre jashtë vendit. 60 anëtarë të USAID u pezulluan tashmë javën e kaluar pasi u përpoqën të anashkalonin urdhrin ekzekutiv të Presidentit Trump për ndalimin e ndihmave të huaja.

elon musk

Sondazh

Poll