Aktualitet

Dosja "Metamorfoza"/ Pëllumb Gjoka tjetër padi në Gjykatën Kushtetuese, kërkon heqjen e sekuestros së SPAK ndaj 390 mijë m2 truall

Kërkesa është depozituar në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit në mbledhjen e mbajtur ka vendosur që ta kalojë për seancë plenare mbi bazë dokumentesh këtë çështje.

2 Shkurt 2025, 21:16 Nga N.F
Dosja "Metamorfoza"/ Pëllumb Gjoka tjetër padi në
Pellumb Gjoka

TIRANË- Biznesmeni i arrestuar për dosjen “Metamorfoza”, Pëllumb Gjoka pas humbjes së procesit në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar përgjimet e platformës së koduar SKY ECC ka kërkuar që të hiqet sekuestroja e 390 mijë metra katrorë sipërfaqe toke (39 ha). Kërkesa është depozituar në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit në mbledhjen e mbajtur ka vendosur që ta kalojë për seancë plenare mbi bazë dokumentesh këtë çështje.

Padia ku pretendohet shkelja e ligjit kushtetues, është përcjellë nga i pandehuri Pëllumb Gjoka, i cili mbahet i paraburgosur, si edhe nga përfaqësuesi Kolë Gjoka dhe ‘Shoqëria Imperial Group’, që pretendojnë se kjo pasuri është ne emër të tyre dhe jo të biznesmenit. Si palë e interesuar është Prokuroria e Posaçme, e cila ka bllokuar gati 390 mijë metra katrorë tokë në zonën e Velipojës, nën dyshimet se janë përftuar përmes falsifikimit

Por në padi insistohet se sekuestro preventive duhet shfuqizuar si e papajtueshme me Kushtetutën, me argumentin se rezultojnë të regjistruara në ASHK në emër të një shoqërie dhe të Kolë Gjokës. Kjo pasuri është e sekuestruar nga të treja shkallët e drejtësisë.

Pëllumb Gjoka, u arrestua në korrik 2023 si anëtar i dyshuar i një organizate kriminale që kishte kryer ndër të tjera vrasje dhe pengmarrje. Ai është pronar i kompanisë “Imperial Group”, me aktivitet në fushën e investimeve në turizëm dhe në lojërat e fatit krahas bizneseve të tjera.

Në vitin 2021, qeveria shqiptare i dha kësaj kompanie statusin e investitorit strategjik për projektin Silver Sand Resort, një projekt masiv që duhet të shtrihet në një sipërfaqe prej 113 mijë metra katrorë për ndërtimin e pallateve, vilave dhe hoteleve. Sipas dokumenteve të publikuara, vlera e planifikuar e investimit ishte 52 milionë euro, nga të cilat, një pjesë do të financohej nga shitja gjatë ndërtimit të apartamenteve dhe vilave.

Hetimi ndaj Gjokës filloi pas mbërritjes së një dosjeje nga Franca. Ndaj tij dhe anëtarëve të tjerë të grupit ka nëntë lloj akuzash për vepra penale, mes të cilave vrasje, korrupsion aktiv e pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të struktuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar si pjesë e organizatës akuzohen për korrupsion, zbulim të akteve apo të dhënave sekrete, si dhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje.

pellumb gjoka dosja metamorfoza

Sondazh

Poll