Aktualitet

Do t'i vinte flakën repartit të dializës në Korçë, flet 67-vjeçari: Shpifje, dje u sajua ky muhabet!

Mero shtoi se të enjten ka shkuar për të bërë seancën e dializës, ka kërkuar t’i ndërrohet makineria pasi nuk punonte mirë dhe për këtë ka pasur debat.

31 Janar 2025, 10:43 Nga N.F
Do t'i vinte flakën repartit të dializës në
Kujtim Mero

KORÇË- 67-vjeçari, Kujtim Mero i cili u akuzua një ditë më parë se tentoi t’i vinte zjarrin repartit të dializës në Korçë ka hedhur poshtë këto akuza. Mero gjatë fjalës së tij u shpreh se kjo është një shpifje nga ana e stafit mjekësor. Ai theksoi se nuk është i çmendur.

“Këto janë shpifje, se unë nuk kam arritur në atë fazë, siç mendojnë ata dhe siç më bëjnë mua të çmendur. Se po të jetë për të çmendur, mund të jenë ata dhe unë jo, se unë e kam aq logjikë, sepo shkoj 70 vjeç dhe nuk gaboj në ato gjëra. Unë nëse kam ndonjë inat personal mund ta bëjë me vetë personin”, tha Mero për A2 CNN.

Ai më tej shprehu pakënaqesitë e tij ndërsa theksoi se brenda muajit janar ka 3 seanca minus. Sipas tij pretendimet e mjekëve ishin një kurth ndaj tij që ai të debatonte me ta.

“Brenda janarit kam 3 seanca minus, që nuk e kam marrë. Dje u sajua ky muhabet, ishte e përgatitur, ishte kurth, që unë të debatoja. Ndërsa unë ndihesha shumë i qetë. Ata e kishin përgatitur”, tha ai.

Mero shtoi se të enjten ka shkuar për të bërë seancën e dializës, ka kërkuar t’i ndërrohet makineria pasi nuk punonte mirë dhe për këtë ka pasur debat. Sipas tij, as policia nuk i gjeti lëndë djegëse kur shkoi në spital.

“Kërkova të më ndërrohej makina se ishte me defekt dhe ata nuk ma ndërruan... Nuk kisha gjë, çfarë do më gjenin? Edhe policia kur erdhi aty nuk më gjeti gjë. Këto janë sajesa, shpifje”.

kujtim mero

Sondazh

Poll